Topalli flet për takimin në Shëngjin të zyrtarëve të VV-së: Ishte përpjekje për të tejkaluar problemet - Bota Sot
Topalli flet për takimin në Shëngjin të zyrtarëve të VV-së: Ishte përpjekje për të tejkaluar problemet

Aktuale

E enjte, 18 janar 2018

Topalli flet për takimin në Shëngjin të zyrtarëve të VV-së: Ishte përpjekje për të tejkaluar problemet

Më: 8 janar 2018 Në ora: 16:48
Dardan Molliqaj, Albin Kurti dhe Visar Ymeri

Faton Topalli ka dhënë sot dorëheqjen nga të gjitha pozitat brenda Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë edhe dorëheqjen nga pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm.

Në një letër dorëheqjeje, Topalli ka shprehur kundërshtimin e tij me shumë zhvillime brenda Vetëvendosjes, por kryesisht me fenomenin e linçimeve.

Deputeti Topalli thotë se për të diskutuar për këtë problematike, pa cekur emra, thekson se disa zyrtarë të partisë ishin mbledhur në Shëngjin për t’i diskutuar dhe për t’i dhënë fund këtyre gjërave brenda Vetëvendosjes, por sipas tij, takimi kishte dalë të jetë i pafrytshëm. Takimi thotë se ishte zhvilluar rreth një vit e gjysmë më parë dhe kishte zgjatur dy ditë.

“Para më shumë se një viti e gjysmë u takuam në Shëngjin  për të diskutuar për  dy ditë me radhë për politikat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pata shumë shpresë se do të fillonte një dialog i brendëshëm, por ky takim doli gati krejtësisht i pafrytshëm.  Ajo që ndodhi më pas ishte vazhdimi i të njëjtës praktikë”, shkruan Topalli.

Më vonë, përkatësisht në muajin dhjetor, Topalli thotë se tashmë ishte etiketuar se i takonte grupit të Dardan Molliqaj, edhe pse thotë se ai i takonte Lëvizjes Vetëvendosje dhe jo ndonjë grupi.

“Gjatë zgjedhjeve nacionale kam kuptuar se më kishin etiketuar si pjesë e grupit të Dardan Molliqajt edhe pse unë i takoja Lëvizjes dhe asnjë grupi. Kjo u bë edhe më transparente gjatë zgjedhjeve lokale të cilat i humbëm në Ferizaj mes tjerash edhe për shkak të  kësaj qasje”, ka shkruar ai.

Thotë se fushata kundër tij arriti pikun kur i kishte dalë në mbrojtje Aida Dërgutit, pas mesazhit të saj ofendues ndaj Albin Kurtit, të publikuar në media.

“Kur ne dhjetor të vitit të kaluar dola në mbrojtje të Aida Dërgutit dhe kundër linçimit të saj publik, për shkak që dikush brenda nesh ishte i interesuar që mospajtimet e brendshme t’i bënte publike duke shfrytëzuar një gabim të saj,  kërkova që çështjet e brendshme të diskutoheshin brenda Lëvizjes dhe u distancova nga ata që përdorën gjuhen e sharjeve dhe të etiketimeve. Kjo bëri që fushata e sulmeve ndaj meje të rritej në atë masë çfarë nuk kisha pasur mundësi ta paramendoja”, shkruan Topalli.

Por Topallin e shqetësojnë edhe gjëra tjera brenda VV-së.

Ai thotë se në VV ka anëtarë me bindje të ndryshme ideologjike, gjë që Topallit i duket problem, duke thënë se të tillët nuk e përfaqësojnë e as që i përfaqëson..

“Personalisht kam bindje prej socialdemokrati. Kjo është edhe arsyeja pse jam anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje. Mjerisht në strukturën e Lëvizjes Vetëvendosje gjejmë gjithçka, prej fetarëve e besimtarëve politik e deri tek të djathtit ekstrem dhe ultranacionalistët. Të tillët as nuk më përfaqësojnë e as i përfaqësoj unë, madje nuk kam asgjë të përbashkët me ta. Si rezultat i kësaj përzierje kemi një disproporcion mes programit politik dhe përfaqësimit ideologjik në struktura të Lëvizjes Vetëvendosje. Lëvizja Vetëvendosje duhet t’i kthehet shtresës së cilës përfaqëson me koncept politik. Angazhimi për atëdheun është edhe çështje e socialdemokracisë, por nacionalizmi ekstrem nuk i zgjidh problemet e vendit”, shkruan Topalli.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test