Isa Mustafa mbërrin në Gjermani, spitali njofton për gjendjen e tij shëndetësore

Aktuale

Isa Mustafa mbërrin në Gjermani, spitali njofton për gjendjen e tij shëndetësore

Më: 15 janar 2018 Në ora: 13:42
Isa Mustafa

(E plotësuar) - Ish kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot ka udhëtuar për në Gjermani, ku do të trajtohet pas komplikimeve shëndetësore që ka pasur në javën e fundit.

Para se të merrte rrugë jashtë vendit, Mustafa ka qenë i shtrirë në Spitalin Amerikan në Prishtinë.

Ky spital se fundmi ka dhënë disa informacione lidhur me gjendjen shëndetësore të kryetarit të LDK-së, gjatë kohës sa ka qenë i hospitalizuar.

“Ai në spital është paraqitur për shkak të simptomave të lodhjes, plogështisë gripale dhe dobësisë së gjymtyrëve. Pas procedurave përkatëse diagnostike, është arritur te diagnostikohet dhe të trajtohet me terapinë përkatëse specifike që jepet për këtë rast”, thuhet në njoftim.

“Gjatë qëndrimit në spitalin tonë, është arritur stabilizimi dhe më pas ka filluar përmirësimi gradual i gjendjes së tij shëndetësore. Për shkak të nevojës së terapisë dhe rehabilitimit fizikal të vazhdueshëm, z. Mustafa sot është transferuar jashtë vendit në një qendër të specializuar rehabilituese”, thuhet më tej aty.

 

Ish kryeministri i Kosovës njëherësh edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është dërguar sot në Stuttgart të Gjermanisë ku do të shtrihet në njërin prej spitaleve në këtë qytet për tu kuruar pas paraqitjes së një problemi shëndetësor.

Aeroambulanca e ardhur në mëngjes nga Austria, e mori Mustafën në aeroportin e Prishtinës ndërsa në orën 12 e 30 minuta e njëjta ateroi në aeroportin e Stuttgartit.

Nuk dihet se sa kohë do të qëndroi Mustafa në Gjermani, por këshilltarët e tij kanë thënë sot se gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar.

Ai nuk është në gjendje të lëvizë, ndërsa për t’u rehabilituar plotësisht duhet të kalojnë muaj të tërë.

Sipas burimeve të gazetës, mjekët dyshojnë se kryetari i LDK-së është prekur nga sindroma “Guillain-Barré syndrome”. Trajtimi i kësaj sëmundjeje, për njerëzit që nuk kanë aktivitet të fortë fizik, apo për ata të cilët janë më në moshë, është shumë i vështirë dhe sëmundja mund të lërë pasoja.

Sindroma GBS është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik.

Simptomat e para të këtij çrregullimi përfshijnë shkallë të ndryshme të dobësisë ose ndjesive. Këto simptoma mund të rriten me intensitet derisa muskuj të caktuar nuk mund të përdoren fare dhe, kur është e rëndë, personi është pothuajse tërësisht i paralizuar.

Një individ i tillë shpesh vihet në një ventilator për ta ndihmuar me frymëmarrje dhe është parë nga afër për probleme të tilla si rrahje jonormale të zemrës, infeksione, mpiksje të gjakut dhe presion i lartë ose i ulët të gjakut.

Shumica e individëve, megjithatë, kanë shërim nga kjo sindromë, edhe pse disa vazhdojnë të kenë një shkallë të caktuar të dobësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat