Pacolli shkoi në Sarajevë me aeroplanin e vet, viza iu dha vetëm për dy ditë

Aktuale

Pacolli shkoi në Sarajevë me aeroplanin e vet, viza iu dha vetëm për dy ditë

Më: 17 mars 2018 Në ora: 14:13
Behgjet Pacolli

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli ka qëndruar dje në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, për një takim me kolegët e tij nga pesë shtete të Ballkanit dhe me zyrtarë të Bashkimit Evropian. Në një intervistë për “Dnevni Avaz” Pacolli tregon se, megjithëse kishte arritur në Sarajevë me aeroplanin e tij privat, ai nga shteti boshnjak kishte marrë leje për të qëndruar vetëm dy ditë.

“Pak më mërzit kjo përvojë që e fitova në kontekstin e problemeve që këtu i kanë njerëzit. Ne këtu kemi shumë shqiptarë që janë nga Kosova dhe atje kanë familjarët e tyre. Kemi edhe shumë njerëz nga BeH që atje kanë të afërmit e tyre. Për të gjithë ata është mundim udhëtimi. U duhet shumë gjatë të presin për vizë”, ka thënë Pacolli, duke i bërë me faj të dy shtetet për problemet e mëdha që në këtë drejtim ua shkaktojnë qytetarëve të vet.

“Shpresoj se kolegët e mi në Sarajevë do ta kuptojnë këtë dhe se së shpejti, kudo qoftë, do të ulemi dhe ta zgjidhim problemin. Le ta zgjidhim këtë çështje siç e kemi zgjidhur me Serbinë. Me atë shtet kemi lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave, me letërnjoftim shkojmë nga njëri shtet në tjetrin. Pse të mos e kemi të njëjtën edhe me BeH-në”, ka thënë Pacolli.

Ai është shprehur i gatshëm të ulet dhe të kërkojë zgjidhje për problemin edhe me faktorin politik serb në BeH, i cili llogaritet frenuesi kryesor i vendosjes së marrëdhënieve normale ndërshtetërore mes dy vendeve.

Pacolli në intervistën për mediumin boshnjak ka evokuar kujtime nga e kaluara lidhur me këtë shtet, ndër të cilat edhe ditët e shërbimit si ushtar i armatës jugosllave në Shvarkino Sello në vitin 1974. Ai gjithashtu ka treguar se këtë vizitë të parë zyrtare në BeH e ka shfrytëzuar për t’u takuar me miq të shumtë, ka kujtuar ditët e rinisë të kaluara në Sarajevë, si dhe për ndërtimet e shumta që i ka bërë, por edhe që ka pasur në plan t’i bëjë në Bosnjë e Hercegovinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat