LDK-ja po punon për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj

Aktuale

LDK-ja po punon për ta rrëzuar qeverinë Haradinaj

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 00:36
Deputetja Hykmete Bajrami

Deputetja Hykmete Bajrami në emisionin “Interaktiv”, ka thënë se partia e saj, LDK-ja nuk e ka harruar mundësinë për ta rrëzuar qeverinë e Ramush Haradinajt me mocion mosbesimi në Kuvend.

Ajo ka thënë se për iniciativë duhet ndihma e Vetëvendosjes dhe PSD-së, por ka shtuar se duhet të kërkohen dy apo tre vota edhe në koalicionin qeveritar.

“Nuk besoj se është harruar [mocioni i mosbesimit], LDK-ja i ka 27 nënshkrimet për mosbesimin e qeverisë, po punohet që të mblidhen numrat. Duhen 61 vota. Jemi duke punuar. Pa VV-në dhe PSD-në nuk mundemi, por na duhen edhe 2-3 numra nga koalicioni qeverisës”, ka thënë Bajrmai.

“Duken herë pas here se ka përçarje. Secili i partisë i raporton kryetarit të vet. Shihet si nuk funksionon si kabinet qeveritar që nuk kanë përgjegjësi ndaj kryeministrit, por ndaj kryetarit të partisë”, ka shtuar ajo.

“Janë mbi 40 kontrata mbi vepër në ministrinë e tregtisë dhe industrisë që janë dhënë kur po hapen selitë e reja të Nismës nëpër qytete. Haradinaj ua ka lënë duart e lira që nëpër dikastere të bëjnë çfarë të duan. Ka mundësi që kjo mundësi të vazhdojë për një kohë. Duhet dikush të zgjohet nga gjumi. Dhe në momentin kur një partner zgjohet për interesat e qytetarëve do të ketë plasaritje të partnerëve”.

Bajrami: Anekskontrata pa kosto financiare me Bectel Enkan mundësoi humbjen e 53 milionë eurove

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami duke folur për rritjen e pagave të qeverisë dhe 53 milionë eurot e autostradës, ka thënë se nënshkrimi i anekskontratës pa kosto financiare nga ana e Pal Lekajt, ia ka mundësuar Bectel & Enka-s që të kërkojë shuma sipas dëshirës.

Bajrami ka thënë se kontratën për autostradën “Arbën Xhaferi” qeveria e Isa Mustafës e kishte gjetur në zyre pasi ajo ishte nënshkruar kah mesi i vitit 2014, derisa ka akuzuar Lekajn se po fajëson ish-qeverinë duke u thirrur në pjesë që nuk ekzistojnë në kontratë.

“Dikush duhet të fajësohet dhe nuk ka bazë ligjore dhe dokument të prezantuar nga qeveria se në cilën pjesë të kontratës thirren kur kanë paguar këtë penalti. Kontrata është nënshkruar në mes të vitit 2014. Në kohën kur është nënshkruar kontrata 600 milionë nuk ka pasur mjete sipas planit të paraparë në kontratë. Qeveria ka vazhduar të ndaj buxhet të paraparë, ndërkohë Bektel Enka ka vazhduar të punojë në bazë të kontratës së para parë. Nëse do të kishte punë të kryera në 200 milionë dhe qeveria ndante 100 milionë”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka treguar se qeveria Mustafa ka tentuar të ketë një anekskontratë me të cilën do të bëhej vazhdimi i punëve, por do të negociohej shuma e penaltive që ishte 1 milion euro për 1 muaj.

“Me ardhjen e Lekajt u nënshkrua anekskontratë pa kosto financiare. Ai nënshkroi pa e ditur zgjatjet e afatit dhe sa do të kushtojnë penaltitë. I kanë dhënë hapësirë [Bectel & Enka] që të kërkojë sa të dojë. As Lekaj nuk mund ta justifikojë vendimin për 53 milionë euro. Vonesat janë 99 milionë euro. Nuk ka asnjë element të kontratës që justifikon këtë. 99 milionë euro janë në vonesë. Janë paguar 53 milionë euro për penalti ndërsa kontrata është ‘dizajno dhe ndërto’”, ka thënë Bajrami që kujton se penalti është dashur të paguhen vetëm 14.7 milionë euro.

“Është dashur të paguhen 14.7 milionë, 53 milionë eurot i ka kërkuar Bektel Enkas. Në momentin kur ka nënshkruar kontratë pa kosto financiare, i ka hapur rrugë kompanisë që të kërkojë sa të dojë”, ka përsëritur ajo.

Ajo ka thënë se ekzistojnë dyshime që këto 53 milionë euro janë dhënë në formë korrupsioni ndërsa paratë do të përdoren në fushata zgjedhore.

“Dyshimet nuk janë vetëm tonat. Janë të të gjithë qytetarëve. Nuk e di si mund të merret një vendim i tillë dhe ka hapësirë për dyshime. Kam përmendur edhe raste të tilla sepse këto para të buxhetit në forma të ndryshme po hyjnë në proceset zgjedhore, dhe po i kemi të njëjtat garnitura në pushtet. Po bëjnë gjithçka që të ruajnë këto pozita. Është shqetësueses për një fakt tjetër se jemi një hap larg liberalizimit të vizave. Në këtë mandat qeverisës kemi pasur plot skandale që kanë shënuar regres në këtë fushë”, ka thënë Bajrami.

Përveç 53 milionë eurove që qeveria ka paguar ndaj kompanisë Bectel & Enka, Bajrami ka folur edhe për ngritjen e pagave të qeverisë së Ramush Haradinajt. Ajo ka theksuar se qeveria ka mundur t’i rrisë pagat përmes ligjit dhe përmes Kuvendit.

“Mënyra se si janë ngritur pagat ka qenë jolegjitime. Nëse do të shkonte përmes Kuvendit do të shmangej edhe konflikti i interesit”, ka thënë Bajrami që shtoi se Haradinaj nuk ka qenë në dijeni se me ngritjen e pagës së vet automatikisht do të ngriheshin edhe pagat në gjyqësor.

“Në mënyrë automatike u ngrihen pagat edhe gjyqësorit, për këtë nuk ka qenë në dijeni fare Haradinaj”, ka thënë veç të tjerash ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat