Çavusoglu në Kosovë, a po kërkon Erdogan ende koka të gylenistëve?

Aktuale

Çavusoglu në Kosovë, a po kërkon Erdogan ende koka të gylenistëve?

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 16:18
Mevlut Çavousoglu dhe Erdogan

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavousoglu, po qëndron për një vizitë zyrtare në Shqipëri, të cilën më pas do ta vazhdojë edhe në Republikën e Kosovës.

Ministri turk është pritur nga homologu i tij shqiptar, Ditmir Bushati, të cilit ia ka kumtuar menjëherë qëllimin e vizitës.

Çavusoglu ka thënë se Turqia ka informacione se në Shqipëri ka një strukturë të organizuar të aktivistëve të Fetullah Gulenit, kryesisht nëpër institucione arsimore, dhe ka thënë se pret nga Shqipëria që t’i largojë jashtë vendit të gjithë ‘gylenistët’.

“Është e dobishme të shikojmë se si funksionon organizata FETO. Shqipëria pas atij grushti shteti ka treguar shembull solidariteti ndaj Turqisë. Por ka një strukturë FETO tepër serioze në Shqipëri në çdo fushë. Edhe si në vendet e tjera, kanë përdorur sistemin arsimor dhe kanë depërtuar shumë mirë brenda në sistemin shtetëror. Kjo organizatë terroriste është një kërcënim i hapur dhe i madh kundër Turqisë. E dimë që këtu ka elementë të FETO dhe ne presim diçka nga Shqipëria mike.Presim që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari anti-turke në Shqipëri. Ata mund të bëjnë çdo gjë. Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që mund të vijë nga Shqipëria. Këtë presim edhe nga miqtë tanë. I kemi dhënë listat me emrat e tyre dhe të personave me të cilët ne kërkojmë ekstradimin e tyre”, u shpreh ministri turk Çavusoglu.

Çavusoglu do të qëndrojë nesër për vizitë edhe në Republikën e Kosovës. Ai në orën 09:00 të mëngjesit do të takohet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë turk që vjen në Kosovë pas skandalit të deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në muajin mars, ngjarje kjo që nxiti reagime të jashtëzakonshme.

Por a do të jetë kjo vizitë e ministrit turk në Republikën e Kosovës, për të kërkuar ‘koka’ të reja të ‘gylenistëve’.

Bazuar në deklaratat e tij në Shqipëri, duket se po, megjithatë, mbetet të shihen deklaratat e tij në ditën e nesërme pas takimit me kryeministrin Haradinaj dhe presidentin Thaçi.

Kryeministri Haradinaj kishte qenë i pari që kishte reaguar ashpër kundër depërtimit të shtetasve turq, për këtë gjë madje kishte shkarkuar edhe ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe shefin e AKI-së.

Veprimet e Haradinajt kishin nxitur reagime të ashpra të Erdoganit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat