Anton Quni tregon se a i frikësohet Hashim Thaçit, ja kush duhet të ketë frikë

Aktuale

Anton Quni tregon se a i frikësohet Hashim Thaçit, ja kush duhet të ketë frikë

Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 20:00
Anton Quni dhe Hashim Thaçi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni i ka hedhur poshtë zërat se disa deputet të partisë ku ai bënë pjesë, po kontrollohen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e për të cilët madje ishte thënë se këtë po e bënin nga frika.

Në një intervistë, Quni është treguar i prerë rreth këtyre deklaratave duke thënë se është Thaçi pikërisht ai i cili duhet të ketë frikë nga LDK-ja, e jo të ndodhë e kundërta.

“Është diçka absurde, pse duhet t’i frikësohemi Presidentit, Thaçi? Jo, absolut jo! Nuk e besoj që dikush e ka atë frikë. Mund të flas me kompetencë edhe për kolegët e mi, që asnjëri prej tyre nuk ka ndonjë frikë nga z.Thaçi. Të gjithë janë me një biografi në rregull, janë kolegë të mirë, janë bashkëpunues.” – ka thënë Quni.

Ai më tutja ka përmendur edhe tre deputetët e tjerë të cilët bashkë me të nuk morën pjesë në seancën e Kuvendit, për ta proceduar si pikë të parë të rendit të ditës – votimin e propozim-rezolutës lidhur me angazhimet e Presidentit për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun me Serbinë, e që ishte iniciuar nga vet LDK-ja, por që nuk kishte arritur të procedohej shkaku i mungesës së kuorumit.

Quni ka treguar se ai vet bashkë me deputetët e tjerë nuk kishin marrë pjesë me 1 nëntor, shkaku i angazhimeve të mëhershme që thotë të kenë qenë të parapara dhe të planifikuara.

“Kjo temë ishte në rend të ditës me datën 31 Tetor, do të thotë që të gjithë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kanë qenë të përgatitur dhe kanë marrë pjesë që kjo çështje të votohet me datën 31 Tetor. Kështu që, për datën 1 Nëntor të gjithë deputetët që munguan kanë pas aranzhime të mëhershme, të parapara dhe të planifikuara.

Tani unë mund të flas për vetën time, 1 Nëntori është ditë zie për një pjesë komiteti Shqiptar, ku edhe unë në mesin e familjes do të thotë i vizitojmë varrezat, lutemi për shpirtrat e të vdekurve, por e veçanta e kësaj dite ka qenë se jemi marrë me organizmin e ri-varrimit të familjarëve të ngushtë të cilët më herët kanë qenë tek varrezat e fshatit Bishtazhin të cilat i kemi kaluar në varrezat e fshatit Sheh.

Për këtë çështje ka qenë i njoftuar Shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti dhe çdo shpjegim tjetër është shpjegim me të cilat shërbehen çarqe të ndryshme për të atakuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) apo disa individë të saj, që e kanë sabotuar këtë përpjekje.

Sidoqoftë, kjo temë do të kthehet prap në Parlament, dhe jam mëse i bindur se pjesëmarrja e gjithë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) do të jetë në nivelin e duhur.” – ka thënë Quni.

Ai e ka ri-përsëritur se mos pjesëmarrja e tyre nuk ka pasur të bëjë me frikën e mundshme nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deri sa ka treguar veç e veç se çfarë agjende kanë pasur edhe tre deputetët e tjerë të LDK-së atë ditë.

“E di për çdonjërin veç-e-veç se çka kanë pas në agjendën e tyre, filluar edhe për çështjen e Kujtim Shalës që e ka pas do të thotë një paraqitje në fjalë lidhur me figurën e  Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Tiranë, do të thotë diçka e projektuar shumë më herët. Takimi i z.Naser Rugova me zyrtarët e lartë të shtetit të Hungarisë. Pastaj z. Naser Osmani me angazhimet e tij që i ka pas të parapara shumë kohë më herët në Amsterdam, angazhimet e mija rreth familjes, etj, etj.

Do të thotë asgjë s’ka të bëjë këtu me ndonjë frikë. Nëse dikush duhet të frikësohet, le të frikësohet z.Thaçi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). “ – ka thënë ndër të tjerash Quni në një intervistë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat