Pse nuk po fillon gjyqi ndaj ministrave që gjuajtën me armë?

Aktuale

Pse nuk po fillon gjyqi ndaj ministrave që gjuajtën me armë?

Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 17:49
Endrit Shala, Sami Lushtaku dhe Dardan Gashi

Po bëhen gjashtë muaj prej kur Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë ndaj Ministrit Dardan Gashi, Endrit Shalës, Sami Lushtakut dhe tre personave të tjerë, për gjuajtjen me armë në odën e Fatmir Limajt në Banjë të Malishevës. Por, ndonëse kanë kaluar gjithë këta muaj prej se është ngritur aktakuza, ende nuk është caktuar gjyqtari që do të merret me këtë lëndë.

Ende nuk dihet se kur do të dalin para Gjykatës, zyrtarët e shtetit të cilët gjuajtën me armë në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj në Banjë të Malishevës, të cilët ishin mbledhur për të festuar lirimin e këtij të fundit nga të gjitha akuzat në rastin e “MTPT’së”.

Ndonëse aktakuza ndaj tyre është ngritur para rreth gjashtë muajve, lënda ende nuk u është ndarë gjyqtarëve. Zvarritja e kësaj lënde duket se do të vazhdojë edhe për goxha kohë.

Administratori i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Rudin Elezi i ka thënë medias se kjo lëndë ende nuk iu është ndarë gjyqtarëve.

“Sipas njoftimit nga  Gjykata Themelore Gjakovë-dega në Malishevë, kjo lëndë ende nuk i është ndarë Gjyqtarëve”, ka thënë Elezi.

Por, Elezi nuk ka bërë të ditura arsyet për këtë, e as nuk ka dhënë ndonjë informacion se kur do tu ndahet kjo lëndë gjyqtarëve.

Ndërkohë, ngritjen e aktakuzës ndaj zyrtarëve të Shtetit që gjuajtën me armë në odën e Limajt e kishte konfirmuar prokurori, Ismet Tofaj.

“Është ngritur aktakuza ndaj gjashtë personave”, kishte thënë Tofaj.

 Por, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë nuk kishte pranuar të japë detaje të tjera duke përsëritur se aktakuza është ngritur për gjashtë persona të përfshirë në gjuajtje me armë në Banjë të Malishevës.

Zëvendëskryeministri Dardan Gashi, ish-Kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku, Endrit Shala ishin xhiruar teksa kishin gjuajtur me armë në ditën kur Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat sa ishte Ministër i Transportit.

Pas publikimit të këtyre pamjeve kishin nisur hetimet. Policia kishte marrë në pyetje të dyshuarit, ndërkohë, pesë muaj më vonë rezultoi me aktakuzë.

Përpos tre zyrtarëve të Shtetit, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj tre personave të tjerë. Prokurori nuk i ka dhënë emrat e gjithë të akuzuarve.

Ndërkohë, veprimet e zyrtarëve të shtetit, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj i kishte arsyetuar, duke i ndërlidhur me traditën e shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat