Kamza pa frena, Teuta shfryn ndaj Skënderbeut

Basketboll

Kamza pa frena, Teuta shfryn ndaj Skënderbeut

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 12:16
Renditja

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka hapur dje javën e gjashtë me dy takimet e para, teksa Kamza dhe Teuta regjistruan fitore treshifrore në shtëpi, respektivisht kundër Elbasanit dhe Skënderbeut.

Kamza vijon ecurinë mjaft të mirë në kampionat, teksa ka siguruar suksesin e pestë në gjashtë ndeshje. Ekipi i drejtuar nga Eni Llazani mundi Elbasanin me rezultatin 115-77, sfidë e zhvilluar në palestrën “Halit Coka” në Bathore. Kamza e dominoi ndeshjen nga fillimi e deri në fund, duke e kryesuar gjatë të gjithë kohës.

Perioda e parë nisi menjëherë nën diktatin e vendësve, 10-minutësh që u mbyll 29-16. E njëjta tablo ishte edhe në çerekun e dytë, me Kamzën që fiton 27-16, duke shkuar në pushimin mes dy pjesëve me epërsinë 56-32 në shifra të përgjithshme.

Kamza e rrit edhe më tepër ritmin e lojës në periodën e tretë, ndërsa Elbasani duket tërësisht i dorëzuar. Kjo periodë mbyllet 36-16 për Kamzën, që kryeson 89-47 pas 30 minutash.

Fraksioni i fundit luhet sa për statistikë, me miqtë e drejtuar nga Fabian Gjuka që fitojnë 26-30, ndërsa në shifra të përgjithshme suksesi i vendësve mbetet i salduar me +38 pikë. N

jeriu i ndeshjes ishte Dominique Keyes, protagonist i një paraqitjeje fantastike me 29 pikë, 20 kërcime dhe 2 asistime. Për Kamzën shkëlqeu edhe i zakonshmi Zahir Porter, autor i një triplete dyshifrore me 28 pikë, 10 kërcime dhe 10 asistime. Tek Elbasani u dalluan Alban Çela dhe Bruno Skëndaj me nga 18 pikë secili.

Me këtë triumf, Kamza ngjitet momentalisht në vend të parë. Për sa i përket Elbasanit, pas një starti me tri fitore, për verdheblutë kjo ishte humbja e tretë radhazi. Në takimin tjetër,

Teuta nuk e kishte aspak të vështirë ndaj Skënderbeut të vendit të fundit. Durrsakët e Nikola Milatoviçit, të cilit zbrisnin në parket vetëm 24 orë pas humbjes në Superkupë kundër Tiranës, u treguan të papërmbajtshëm.

Teuta e fitoi ndeshjen me rezultatin e thellë 137-75 (35-15, 32- 15, 36-16, 35-29), duke dominuar totalisht ndaj një rivali modest. Patrick Bacon me 33 pikë, Anthony Peacock me 30 pikë e 20 kërcime si dhe Kristi Gorea me 26 pikë, 15 kërcime dhe 6 asistime, spikatën në radhët e bregdetarëve. Për Skënderbeun më i miri ishte Bruno Topi, autor i 22 pikëve.

Java e gjashtë do të kompletohet sot me tri ndeshje, të cilat do të luhen në orën 18:00. Tirana pret Fierin, Besëlidhja luan në transfertë ndaj Apolonisë, ndërsa Vllaznia pret Flamurtarin në Shkodër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat