Federata e Basketbollit feston 13 marsin për një arsye të madhe

Basketboll

Federata e Basketbollit feston 13 marsin për një arsye të madhe

Më: 13 mars 2018 Në ora: 13:21
Ilustrim

Të martën, më 13 mars 2018 janë bërë tri vjet që nga anëtarësimi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA).

FBK më 13 mars 2015 u pati bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s të mbajtur në Gjenevë.

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka thënë për uebsajtin zyrtar të federatës se që nga ajo kohë e deri më tani basketbolli kosovar ka evaluar, por edhe është përballur me sfida nga më të ndryshmet, ndërsa në të njëjtën kohë ka provuar edhe aventura të reja ndërkombëtare, derisa edhe vetë federata është pjekur falë përvojës së fituar në këto tri vjet, duke bërë që sot FBK të jetë shembull në FIBA në aspektin e organizimit dhe menaxhimit të brendshëm.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:

“Kemi punuar në disa drejtime në të njëjtën kohë, por që rëndësi e veçantë i është kushtuar punës me gjenerata të reja në të dyja konkurrencat. Pra ky ka qenë prioriteti ynë, dhe falë kësaj ne sot për vitin e tretë radhazi i kemi 5 Përfaqësuese të Reja në Kampionate Evropiane, në Divizione B dhe C te meshkujt dhe femrat. Pra në vitin 2015 i kemi pasur 2 ekipe (U16 dhe U20), kurse sot i kemi edhe 3 më shumë, përfshirë femrat.

Po ashtu që nga viti i pranimit jemi përkrahur nga FIBA me projekte të ndryshme të kategorive të reja, ndërsa tash e dy vite jemi pjesë e një projekti të përbashkët me Turqinë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Rumaninë, që ka për qëllim zhvillimin e basketbollistëve të rinj, trajnerëve dhe menaxherëve. I njëjti projekt do të vazhdohet edhe në dy vitet e ardhshme, por tani në të dyja konkurrencat dhe do të jetë edhe më i avancuar.  

Brenda këtyre tri viteve kemi marr pjesë në kualifikime me Përfaqësuesen A të Kosovës për Eurobasket 2017, ku ndonëse nuk e kemi fituar asnjë ndeshje, ne kemi fituar përvojë në aspektin organizativ, por edhe në aspektin e organizimit të brendshëm  të Përfaqësueses. Kjo përvojë, por edhe angazhimi shtesë dhe disa ndryshime në Përfaqësuese, që kanë rezultuar si pozitive, na kanë ndihmuar të kalojmë fazën e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës ‘Kina 2019’, duke eliminuar kështu një kombëtare të fortë si Maqedonia, ndërsa tani jemi pjesë e kualifikimeve në grup me kombëtare me renome botërore, siç është Lituania, Polonia e Hungaria.

Në të njëjtën kohë kemi punuar shumë në ngritjen e cilësisë së gjyqtarëve/vëzhguesve, ku mendoj se kemi pasur mjaft sukses, por që nuk duhet të vetëkënaqemi, duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim.

Kemi filluar me Programin për Edukimin dhe Licencimin e Trajnerëve, i cili është shumë i rëndësishëm për ne, por edhe pika më e dobët, pasi që kemi ardhur në përfundimin se kemi më shumë punë për të bërë, sesa që kemi menduar në fillim. Për këtë e kemi angazhuar ekspertin e FIBA-s, Anton Krump, i cili për vitin e dytë radhazi është duke punuar intensivisht me trajnerët tanë.

I kemi në shkollim në programin e FIBA-s, FECC, 5 trajnerë nga Kosova, pastaj i kemi 2 anëtarë të stafit që janë duke u shkolluar në programin për adminstratorë të sportit të ashtuquajtur “TIME OUT”.

Në nivel të klubeve kemi përjetuar rënie në dy vitet e fundit, por besojmë se me fillimin e implementimit të ligjit për sponsorizim, skuadrat do të arrijnë të menaxhohen dukshëm më mirë dhe kështu do të fillojmë të krijojmë një bazë të fortë në secilin klub të Kosovës, përfshirë të dyja gjinitë.

Raportet me FIBA-n në këto tri vitet e pranimit janë për t’u lavdëruar, dhe këtë e dëshmon më së miri fakti se na janë besuar projekte të mëdha si tek gjeneratat e reja, ashtu edhe tek gjyqtarët. Tek këta të fundit për vitin e tretë radhazi FBK është organizatore e Klinikës për Gjyqtarët Kandidatë Potencial për thirrje të FIBA-s.

Dhe për të dëshmuar mbështetjen e saj, FIBA e ka bërë këtë nëpërmjet besimit që na ka dhënë për organizimin e Kampionatit Evropian U-18, Divizioni C (Meshkujt), ku gjatë kësaj vere në Kosovë do të zbarkojnë 8 kombëtare nga Evropa, së bashku me zyrtarët më të lartë të FIBA-s.

Pjesëmarrja në Konferenca të ndryshme dhe Punëtori të FIBA-s, i kanë shërbyer FBK-së që të rris potencialin e anëtarëve të stafit, numri i të cilëve sot numëron 7, gjithsej që jemi në zyre, gjë e cila në takimet e FIBA-s që i kemi pasur ne zyrtarët e lartë të FBK-së ka qenë për t’u lavdëruar dhe për t’u marr shembull.

Gjatë vitit 2017 kemi krijuar një bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, me të cilën kemi realizuar projekte të përbashkëta për djem dhe vajza të reja, të të gjitha komuniteteve, por edhe për stafin e FBK-së, projekte këto që janë realizuar në Kosovë, por edhe në SHBA, dhe ky bashkëpunim vetëm sa po vjen e po thellohet edhe më shumë.

Shikuar në tërësi e kemi bërë një punë të madhe, por ajo që na pret në ditët, javët, muajt e vitet në vazhdim është edhe më e madhe. Por kjo është sfida që ne e kemi pranuar si federatë dhe do të përpiqemi që të bëjmë gjithçka në të mirë të zhvillimit dhe ngritjes së cilësisë së basketbollit kosovar”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat