Ish-kampionia e botës në artet marciale mikse në peshën “bantamweight” (pesha gjel), Miesha Tate, ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetet sociale se është shtatëzënë.
Një lajm që ka hedhur poshtë çdo lloj dyshimi se ajo mund të rikthehet në kafaz gjatë 2018-ës, për një duel të tretë me Ronda Rousey. Madje Tate ka konfirmuar se pret të lindë një vajzë.
31-vjeçarja është e lidhur me Johnny Nunez, një ish-sportist i arteve luftarake, madje ka dueluar edhe në MMA. Hera e fundit që Miesha Tate është ngjitur në kafaz ka qenë 14 muaj më parë, në UFC-205, kur u mund nga Raquel Pennington, duke i dhënë fund karrierës së saj, ku regjistron 18 fitore e 7 humbje. Ajo arriti të shpallet kampione e botës pasi mundi Holly Holm, në vitin 2016.