Usyk ka një synim ndaj Furyt

Boksi

Usyk ka një synim ndaj Furyt

Më: 9 prill 2024 Në ora: 13:31
Usyk e Fury

Pavarësisht frikës se Oleksandr Usyk do të synojë të gjakosë Tyson Fury në vetull apo sy, promovuesi i njohur i boksit Frank Warren është i bindur se britaniku do ta fitojë duelin që unifikon titujt kampionë bote të peshave të rënda. Fury dhe Usyk do të duelojnë më 18 maj në Arabinë Saudite për titujt WBC, WBA, WBO dhe IBF.

“Sigurisht që ai do të përpiqet ta bëjë këtë gjë, të çajë Fury në vetull. Kjo është ajo që pritet të bëjë ukrainasi. Tyson pati një prerje më të keqe kundër Wallin, por në fund e fitoi luftën bindshëm. Fury ka treguar në mënyrë të përsëritur aftësinë e tij për t’u përballur me një krizë”, tha Warren në një intervistë.

Warren nuk beson se Usyk do të jetë në gjendje të mundë Fury, që mban titullin e kategorisë WBC. “Tyson ka planin A, planin B dhe planin C dhe më e rëndësishmja, ai ka një zemër të madhe. Nëse dikush do të përfitojë nga një dobësi në këtë luftë jam i bindur se do të jetë Fury”, tha Frank Warren.

“Fury ka treguar se di të reagojë nga goditjet, siç ka bërë ndaj Deontay Wilder dhe Francis Ngannou për të ruajtur rekordin e tij të pamposhtur. Nga ana tjetër, Usyk ka disa gjëra që mund t’i shfrytëzojë dhe jam i sigurt se do t’i bëjë. Ai është një konkurrent i fortë. Usyk ka bërë gjithçka që i është kërkuar”, tha Warren.

Promotori i njohur beson se Fury do ta lëndojë trupin e Usyk: “Thembra e Akilit për Usyk është trupi i tij. Daniel Dubois ishte i trajnuar që të shkonte dhe ta shfrytëzonte këtë detaj dhe për pak e arriti atë. Unë mendoj se Tyson do ta fitojë me KO këtë duel. Më pëlqen shumë që ta bëjë këtë”.

“Unë mendoj se Tyson do ta ndalojë Usyk dhe pse besoj se do të jetë një luftë e vërtetë në ring, emocionuese përderisa do të zgjasë. Ju keni dy luftëtarë të pamposhtur, më të mirët e gjeneratës së tyre dhe ne do të zbulojmë se kush është më i miri më datën 18 maj”, u shpreh Frank Warren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat