Gati edicioni i tretë i Akademisë së Arbitrimit

Futboll

Gati edicioni i tretë i Akademisë së Arbitrimit

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 12:44
Gati edicioni i tretë i Akademisë së Arbitrimit

Akademia e Arbitrimit, një nga prioritetet e mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit, përgatitet të fillojë edicionin e tretë. Nga dita e sotme janë hapur regjistrimet për të gjithë të interesuarit, të cilët duke ndjekur këtë Akademi do të hedhin hapat e parë në rrugën e bukur të arbitrimit.

Pas dy edicioneve të para shumë pozitive, ku janë diplomuar plot 130 arbitra të rinj, që sot drejtojnë ndeshje në disa kategori të futbollit shqiptar, pritshmëritë për edicionin e tretë janë të mëdha, siҫ bën me dije Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci. Në këtë “shkollë” pjesëmarrësit marrin njohuritë bazë të Rregullave të Lojës, përgatiten fizikisht dhe i ofrohen leksione për të pasur të gjitha njohuritë e nevojshme për një arbitër të ri. Kursantët në fund të leksioneve dhe praktikës pajisen me diplomën “Arbitër i Kategorisë së Tretë”.

Kriteret e përzgjedhjes së aplikantëve, janë mosha 14 – 22 vjeç, arsimi i lartë ose në vazhdim. Sipas orientimeve nga FIFA dhe UEFA, e për vetë specifikat e këtij profesioni, mosha ideale për ta filluar është 15-16 vjec, të cilët vijojnë paralel me moshat e reja në garat sportive. Sigurisht ecin së bashku edhe pasi janë bërë profesionist në fushën e blertë. Një element tjetër i nevojshëm për këtë profesion është arsimimi si dhe gjuha e huaj. Ashtu si edhe ҫdo vit, synohet që të ketë një numër të lartë vajzash, të cilat do t’i shtoheshin më pas kastës femërore arbitrale.

Promovimi i kësaj akademie dhe informimi i të rinjve fillon këtë javë nga Sektori i Arbitrimit, që do të vizitojë disa akademi dhe shkolla sportive duke filluar nga: Tirana, Durrësi, Lezha, Shkodra, Fieri, Vlora, Korça, Pogradeci, Bilishti, Elbasani etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat