Rooney rrëfen gabimet

Futboll

Rooney rrëfen gabimet

Më: 6 shkurt 2022 Në ora: 11:15
Rooney rrëfen gabimet

Ish-sulmuesi britanik Wayne Rooney, trajneri aktual i Derby County (Divizioni 2), rrëfen, në një intervistë për “Daily Mail” të së dielë, para publikimit të dokumentarit kushtuar jetës së tij në “Amazon Prime”, se ka pirë gjatë karrierës së tij për të luftuar kundër presionit.

I zbuluar në moshën 16-vjeçare në radhët e Evertonit dhe i shndërruar në yllin e futbollit anglez në moshën 18-vjeçare, pas një Euro 2004 të shkëlqyer me “Tre Luanët”, Rooney  u transferua te Manchester United, ku pati shumë vështirësi për të menaxhuar këtë ekspozim të papritur dhe të tepruar:

“Kam bërë shumë gabime kur isha i ri, disa dolën në shtyp, disa jo. Për të menaxhuar gjithçka, për të menaxhuar marrëdhënien time me trajnerin (Alex Ferguson), për të menaxhuar familjen time në ato kohëra, ishte shumë e vështirë.

Në vitet e mia të hershme te Manchester United, ndoshta derisa lindi djali im i parë Kai (në vitin 2009), u izolova plotësisht. Nuk dola kurrë.

Kishte raste kur kishim disa ditë pushim, por unë mbyllesha brenda për të pirë dhe për t’i fshirë të gjitha nga mendja. Mbyllja larg vetes, pirja e alkoolit, më bëri të harroj disa nga çështjet me të cilat po luftoja”.

Në moshën 36-vjeçare, Wayne Rooney (120 ndeshje, 53 gola me Anglinë) ka gjetur një rrugë të re si trajner me Derbin, i cili po lufton me problemet financiare që ende kërcënojnë ekzistencën e klubit: “Gjithçka që më ndodh në Derby më bën të mendoj edhe më shumë se mund të kem një karrierë të shkëlqyer si trajner. Ndihem i aftë të shkoj në Premier League tani. Nuk kam më frikë për këtë. Unë i di pikat e mia të forta dhe më e rëndësishmja, i di edhe dobësitë e mia".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat