PSG, me paga marramendëse, shpenzon 629 milionë euro

Futboll

PSG, me paga marramendëse, shpenzon 629 milionë euro

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 14:13
PSG, me paga marramendëse, shpenzon 629 milionë euro

Messi, Ramos, Wijnaldum dhe Donnaruma verën e kaluar shkuan te PSG me parametër zero.

Klubi i Emirit të Katarit nuk shpenzoi asnjë euro për kartonët, por edhe lojtarët e lirë kanë një kosto. Sipas “L’Equipe”, kanë pasur një efekt të rëndësishëm në një bilanc që ishte që më parë në vështirësi për shkak të krizës. Zëri i pagave te PSG është rritur, duke prekur kuotën 629 milionë euro në sezon. Kuotë kjo që korrespondon me 37% të pagave të të gjithë kampionatit. Ligue 1 në total paguan 1.7 miliardë euro paga për të gjithë lojtarët e klubeve pjesëmarrëse.

Gjithsesi, PSG i konteston këto të dhëna, pasi, sipas klubit parizien, pagat e tij në total, pra edhe për rreth 700 punonjës dhe atletë të disiplinave të tjera, arrijnë gjithsej në 585 milionë euro, 80 milionë më shumë se vitin e kaluar.

“L’Equipe” këmbëngul te shifra 629 milionë, një kuotë që tejkalon bilancin e fundit të arkëtimeve të klubit, që është aprovuar në Ligën e Futbollit. Për sezonin 2019-2020, arkëtimet ishin 559 milionë, nga të cilat 414.5 milionë janë rishpërndarë për gjithë strukturën e klubit, nga “yjet” e skuadrës së parë e deri të magazinierët. Mbërritja e Messit, paga e të cilit vlerësohet në 30 milionë euro neto në sezon, ka rënduar llogaritë, duke qenë se të ardhurat janë në rënie për shkak të dy viteve të pandemisë.

Sidoqoftë, PSG prej muajsh ka nisur një politikë drastike të reduktimit të shpenzimeve dhe një strategji për të lehtësuar organikën, por që deri tani nuk ka dhënë rezultatet e shpresuara.

Duke nisur nga Icardi, që u ble për 50 milionë euro, pa përfshirë këtu bonuset, që ka një pagë prej 10 milionë eurosh, ndërkohë që në dalje janë dhe Paredes, Herrera, Draxler, Kurzawa, Kherer dhe tanimë edhe Di Maria, që në skadencë kontratë merr një pagë prej 13 milionë eurosh. Asnjë prej tyre nuk ka bërë ende gati valixhet dhe sigurisht as Navas, i vënë nën presion nga konkurrenca e Donnarumas.

Pastaj është dhe kapitulli “Mbapppe”. “Ylli” francez fiton 12 milionë euro neto (klubi, duke shtuar taksat, paguan thuajse dyfishin) dhe mund të largohet në qershor, nëse nuk pranon ofertën e rinovimit, që do ta bënte lojtarin më të paguar të klubit, duke i dhënë më shumë se 30 milionë euro neto në sezon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat