Kastrioti në rrugën e duhur!

Futboll

Kastrioti në rrugën e duhur!

Më: 8 mars 2022 Në ora: 14:28
Kastrioti në rrugën e duhur!

4 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje në 9 ndeshje të luajtura në vitin 2022. Me renditjen e këtij viti kalendarik, Kastrioti do të ishte në vendin e pestë në klasifikimin e Superiores. Një provë force edhe në sfidën e fundit, ku pavarësisht disavantazhit fillestar morën një pikë të çmuar përballë një prej skuadrave më të forta të kampionatit siç është Laçi.

Kura Emiljano Çela ka funksionuar, me të në stol krutanët kanë rigjetur energjinë, grintën dhe frymëzimin, ndërkohë që afrimet e dimrit kanë dhënë impaktin e tyre, spikat kontributi i Kaina Nunez, 4 gola të çmuar në 9 prezenca për brazilianin, ndërkohë që dhe Adolf Selmani ka shërbyer për të fituar më tepër siguri në fazën mbrojtëse.

Për më tepër, si një skuadër tipike e mbijetesës kanë ditur ta kthejnë stadiumin e Kamzës në një fortesë të vërtetë.Në 4 ndeshjet e fundit në shtëpi, kanë regjistruar 3 fitore dhe një barazim, duke surprizuar Tiranën kryesuese, kanë fituar duelet direkte me Dinamon dhe Skënderbeun, dhe së fundmi edhe barazimi me Laçin.

Të gjithë komponentë që kanë rritur ndjeshëm kuotat e Kastriotit në luftën për mbijetesën, aty ku deri para pak muajsh shiheshin si më të kërcënuarit për të ngritur flamurin e bardhë. Me një mbrojtje të kujdesshme, por edhe me lojtarët e duhur për të bërë keq përpara, Kastrioti po ndërton një progres të vazhdueshëm, teksa skuadra shënon të paktën një gol në 4 ndeshjet e fundit, dhe tanimë shihet si një kundërshtar që mund t’i bëjë keq kujtdo në këtë kampionat.

Lufta për mbijetesën mbetet ende e gjatë, dhe askush nuk mund të thotë se si do të përfundojë, por e sigurt është se Kastrioti për momentin, është në rrugën e duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat