Dervishaj: Projekti po ndikon që tani në afrimin e fëmijëve me futbollin

Futboll

Dervishaj: Projekti po ndikon që tani në afrimin e fëmijëve me futbollin

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 11:57
Dervishaj

Projekti madhor “Uniforma Ime” ka udhëtuar këtë mesjavë në Gjirokastër, me përfaqësuesit e FSHF-së që kanë prezantuar para fëmijëve dhe prindërve të këtij qyteti përfitimet që do të kenë nga kjo iniciativë e rëndësishme. Duke filluar nga ky sezon të gjithë fëmijët që luajnë futboll në të gjitha nivelet e kampionateve të moshave U-7 e deri te mosha U-19 do të përfitojnë falas një set me bazë materiale.

Të pranishëm në ceremoninë e prezantimit të këtij projekti ishin të pranishëm Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, përfaqësues të Shoqatës Rajonale të Futbollit Gjirokastër, drejtues akademish, figura të futbollit gjirokastrit, trajnerë, si dhe prindër e fëmijë të vegjël që luajnë futboll.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Dervishaj theksoi rëndësinë që ky projekt ka për zhvillimin e futbollit në vendin tonë dhe se fokusi i FSHF-së është te futbolli i fëmijëve. Ai renditi të gjitha projektet që ka ndërmarrë Federata e Futbollit ndër vite, që kanë minimizuar ndjeshëm shpenzimet që kanë familjet shqiptare për fëmijët e tyre që luajnë futboll.

“Në strategjinë që FSHF ka miratuar pak muaj më parë një nga prioritetet kryesore është futbolli i fëmijëve, sepse fëmijët janë e ardhmja e futbollit shqiptar dhe ka pa këta fëmijë ne nuk do të kemi as Kombëtare as ekipe të rriturish. Bazuar në këtë strategji FSHF ka ndërtuar një sërë projektesh për zhvillimin e futbollit të fëmijëve.

E kemi nisur me projektin Topi Yt, ku FSHF furnizon të gjitha ekipet kudo në Shqipëri më topa dhe asnjë skuadër apo akademi nuk ka më nevojë të blejnë topa. Kemi vazhduar me projektin e 100 fushave sepse duam që të përmirësojmë infrastrukturën sportive që t’u krijojmë kushte këtyre fëmijëve për të luajtur futboll dhe brenda një periudhe 3-vjeçare ne do të ndërtojmë në të gjithë Shqipërinë 100 fusha futbolli për fëmijët dhe këto do të jenë kryesisht fusha të reja, jo thjesht rikonstruksioni i fushave ekzistuese.

Edhe në zonën e Gjirokastrës ne kemi parashikuar ndërtimin e të paktën dy fushave për fëmijët brenda një viti. Më tej, kemi vijuar me projektin për rregullat e lojës, duke përcaktuar se si do të zhvillohen kampionatet dhe nga ana tjetër për të lehtësuar familjet shqiptare me shpenzimet ne kemi bërë mbulimin e të gjitha kostove për arbitra, delegatë dhe zyrtarë ndeshjesh”, – tha Dervishaj.

Zv.presidenti i FSHF-së foli edhe me shifra konkrete se sa do të kushtojë ky projekt në harkun kohor të një viti, ndërsa nënvizoi se buxheti për këtë projekt pritet të rritet pasi çdo ditë gjithmonë e më shumë fëmijë po bëhen pjesë e botës së bukur të futbollit.

“Së fundmi, po lançojmë projektin Uniforma Ime dhe duke filluar që nga shtatori i këtij viti e në vazhdim asnjë fëmijë nuk do të blejë më uniforma. Të gjithë fëmijët që luajnë futboll në Shqipëri, që janë mbi 15 mijë, do të marrin setin e uniformës falas, që përbëhet nga uniforma e lojës, uniforma e stërvitjes, komplet tutash, fëshe shiu së bashku me çantën.

E kuptojmë që familjet kanë shpenzime për fëmijët e tyre, që luajnë futboll, dhe ne si FSHF do të mundohemi që këto shpenzime t’i minimizojmë sa më shumë derisa t’i çojmë drejt shifrës zero, qoftë edhe kostot e transportit apo trajningut. Ky është një projekt madhor i FSHF-së, që ka alokuar nga buxheti i vet rreth 1.2 milion dollarë dhe kjo është kostoja fillestare, pasi ne e shohim që po afrohen më shumë fëmijë me futbollin, dhe do të investojmë akoma më shumë në sezonet e ardhshme”, – u shpreh Dervishaj.

Ndërsa, drejtuesi i Akademisë “Lefter Millo”, Dhimtraq Shoni vlerësoi punën e madhe që po bën FSHF për të ndihmuar futbollin e bazës dhe masivizimin e futbollit në këtë rajon duke mbështetur akademitë dhe klubet në të gjitha aspektet.

“Gjej rastin të falënderoj FSHF-në, së pari sepse mori parasysh sugjerimet tona në lidhje me aktivitetet e moshave dhe sot jemi para faktit të kryer. Janë marrë masat që t’u gjenden në krah familjeve që janë në vështirësi ekonomike dhe konkretisht asnjë prind nuk do të paguajë para për stërvitjen e fëmijës së tij. FSHF ka pajisur të gjitha akademitë me bazën materiale, që është një domosdoshmëri dhe ky është një hap tjetër i rëndësishëm, ashtu si edhe heqja e shpenzimeve të transportit për kampionatin rajonal. Që të gjitha këto janë bërë me besim të plotë që rajoni i jugut që të ngjisë pak nga pak shkallët e suksesit të dikurshëm në futboll. E gjitha kjo me ndihmën dhe mbështetjen e FSHF-së, që po merr vendime të rëndësishme për futbollin, siç është edhe projekti Uniforma Ime”, – tha Dhimitraq Shoni.

Gjatë ceremonisë mori fjalën edhe prindi i një fëmije që luan futboll në qytetin e Gjirokastrës, i cili gjithashtu vlerësoi këtë projekt dhe uljen e kostove që FSHF ka aplikuar për futbollin e fëmijëve.

“Unë si prind si një risi pozitive projektin Uniforma Ime dhe si prind, por edhe si bashkëvuajtës i problemeve me të cilat jemi përballuar. Kjo iniciativë është një lehtësim për prindërit, qoftë me uniforma, qoftë me heqjen e shpenzimeve të tjera që na ka ndihmuar FSHF dhe kjo ndihmon masivizimin e futbollit e më pas rritjen e cilësisë. Është e rëndësishme që të bashkëpunojmë të gjithë aktorët për të mirën e futbollit”, – tha Nalton Musta.

Projekti “Uniforma Ime” pritet të ketë një ndikim të ndjeshëm në zhvillimin e futbollit në vend, teksa familjet shqiptare do të kursejnë në total rreth 2.5 milionë euro në vit duke i marrë falas nga FSHF uniformat për fëmijët e tyre. FSHF parashikon që ulja e vazhdueshme e kostove për familjet shqiptare të ketë një impakt në afrimin e më shumë fëmijëve me botën e bukur të futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat