Baldini: Luftoj për Serie A ose dal në mal me qentë e mi

Futboll

Baldini: Luftoj për Serie A ose dal në mal me qentë e mi

Më: 30 shtator 2022 Në ora: 18:52
Baldini: Luftoj për Serie A ose dal në mal me qentë e mi

Perugia ëndërron rikthimin në Serie A, aty ku mungon prej sezonit 2003/2004. Drejtuesit e klubit kanë emëruar Silvio Baldinin si trajnerin e ri të skuadrës, që momentalisht renditet në vend të 17-të me vetëm 4 pikë të grumbulluara në 6 javë kampionat në Serie B.

Baldini, i cili sezonin e kaluar riktheu Palermon në divizionin e dytë të futbollit italian, ka entuziazmuar tifozët e ekipit nga Umbria në deklaratën e dhënë përpara takimit shtëpiak ndaj Pisës së vendit të fundit, që shënon edhe debutimin e Baldinit në stolin e Perugias.

“E kemi studiuar ekipin kundërshtar dhe e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Të gjithë lojtarët besojnë tek ëndrra jonë e përbashkët. Duhet të krijojmë emocione, gëzim dhe të luajmë për të shënuar gola.

E dimë që futbolli është diçka serioze dhe jo një lojë, duhet të nxjerrim në pah ‘fëmijët’ që kemi brenda nesh. Deri tani kam provuar 3 module dhe skema: 3-4-1-2, 3-5-2 dhe 4-2-3-1. Pres që skuadra të japë 100% në mënyrë që të vendosim një tullë në ëndrrën Serie A.

Unë jam një trajner që jetoj për të shijuar emocione. Nëse nuk garoj për ngjitjen në Serie A preferoj të dal në mal me qentë e mi”, deklaroi trajneri 64-vjeçar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat