Kola: Kemi grup të mirë vajzash, është punuar mirë edhe në klube

Futboll

Kola: Kemi grup të mirë vajzash, është punuar mirë edhe në klube

Më: 15 tetor 2022 Në ora: 18:51
Kola: Kemi grup të mirë vajzash, është punuar mirë edhe në klube

Kombëtarja U-17 ka nisur grumbullimin në kuadër të ndeshjeve të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian 2023 për këtë grupmoshë.

Trajneri Agustin Kola dhe stafi i tij teknik kanë nisur përgatitjet këtë të shtunë në kompleksin Tropikal në Durrës, ku është grumbulluar skuadra, që ka si objekti kualifikimin dhe ngjitjen në Ligën A për këtë grupmoshë.

Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar Shqipërinë në grupin B3, së bashku me Kosovën, Moldavinë e Maqedoninë e Veriut dhe të gjashta sfidat e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë, në formën e një mini-turneu.

Për trajnerin Agustin Kola e ardhmja është e shkëlqyera pasi futbolli i femrave, është rritur dhe ai ka një grup të talentuar vajzash në dispozicion.

“Grupi është thuajse i njëjtë me atë të një viti më parë. Futbolli i femrave ka nisur vonë në Shqipëri, por unë shoh një rritje të madhe së fundmi. Madje, unë mendoj se vajzat kanë karakter të fortë dhe më shumë grintë se sa meshkujt. Ne e pamë se çfarë bëri Vllaznia e femrave dhe ku ka arritur në Europë dhe kjo konfirmon se futbolli i femrave është rritur ndjeshëm”, – tha Kola në një prononcim për Fshf.org, teksa foli edhe për objektivat: –

“Për ndeshjet që kemi në eliminatoret e Europianit, ne i paksa njohim kundërshtarët pasi kemi luajtur më parë ndaj tyre. Ne punojmë që të përgatisim sa më shumë lojtare për ekipet e tjera Kombëtare dhe kemi 4-5 që u ka kaluar mosha dhe tashmë janë me ekipet kombëtare e të rriturave. Në Shqipëri po punohet mirë në fakt me futbollin e femrave, terrenet janë më mira krahasuar me të kaluarën”.

Gjithashtu, tekniku u Kombëtare U-17 u shpreh se ky grup vajzash mund të shkojë larg, por nuk duhet të harrojmë se misioni kryesor është përgatitja e vajzave për Kombëtaren e moshës U-19 dhe Kombëtaren A.

“Të gjitha vajzat kanë qenë në fazë përgatitore me ekipet e tyre, një pjesë e mirë luajnë me ekipet e para dhe ky është aspekt pozitiv. Kemi dy vajza që vijnë nga klube të huaja, vërtetë janë elemente shumë cilësore.

Kemi një grup të mirë vajzash dhe sa i përket rezultateve që mund të arrijmë, më duhet të them se futbollit nuk i dihet kurrë pasi është i paparashikueshëm.

Janë vajza që kanë dëshirë të madhe për të fituar, stërviten dhe punojnë shumë. Katër vajza që kanë qenë tek ekipi jonë kanë kaluar te Kombëtarja U-19 dhe disa në Kombëtaren A. Mendoj se klubet shqiptare po punojnë mirë me futbollin e femrave”, – theksoi Agustin Kola.

Tekniku ka grumbulluar 20 futbolliste për këto ndeshje të rëndësishme, ku baza është pjesë e kampionatit shqiptar, teksa dy prej tyre aktivizohen me ekipe jashtë vendit.

Ndeshja e parë e Kombëtares do të jetë ajo kundër Maqedonisë së Veriut, më 18 tetor në ora 14:30 në stadiumin “Elbasan Arena”, që do të jetë edhe shtëpia e vajzave kuqezi U-17 në këto kualifikuese. Tre ditë më vonë, Kombëtarja do të luajë ndaj Moldavisë, në po të njëjtën orë.

Takimi i fundit i ekipit të drejtuar nga Agustin Kola do të jetë kundër Kosovës më 24 tetor në ora 14:30 në “Elbasan Arena”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat