Veghorst zbulon prapaskenat e huazimit

Futboll

Veghorst zbulon prapaskenat e huazimit

Më: 18 janar 2023 Në ora: 14:19
Veghorst zbulon prapaskenat e huazimit

Vut Veghorst pranon përpara debutimit të tij me fanellën e Mançester Junajtidit dhe ai dhe e dashura Niki van Esh ngelën pak të shokuar kur mësuan interesin e “Djajve” për ta huazuar. 

Sulmuesi holandez, i cili po shkëlqente në huazimin te Beshiktashi, kishte shënuar vetëm 2 gola në 20 ndeshje për klubin e tij të Bërnlejt, ndërsa ata u rrëzuan nga Premier Liga. Por pavarësisht vuajtjeve të 30- vjeçarit në Bërnlej, trajneri Erik ten Hag e zgjodhi për të ndihmuar sulmin e Mançester Junajtidit pas largimit të Kristiano Ronaldos.

“Për interesin e Junajtidit mësova mbi një javë më parë. Më telefonoi menaxheri për herë të parë dhe unë isha bashkë me shoqen time. Edhe ajo ishte pak e shokuar kur pa fytyrën time dhe unë isha i surprizuar”, tha holandezi pasi firmosi kontratën e huazimit deri në fund të sezonit në “Old Trafford”. Ai u transferua dimrin e shkuar nga Bërnlej për 12 milionë paund dhe pranon se gjërat nuk shkuan siç kishte planifikuar, ndërsa klubi nuk arriti të mbi jetonte. “Unë vij pas një eksperience në Premier Ligë. Ajo nuk ishte aq e suksesshme sa shpresoja, por tani mezi po pres që ta provoj sërish, sepse për mendimin tim është ende kampionati më i rëndësishëm në botë dhe unë do të luaj për një prej klubeve më të mëdha të Anglisë”, shtoi sulmuesi, të cilit Ten Hag pritet t’i japë shansin e debutimit, ndoshta që në ndeshjen e sotme kundër Kristal Palasit.

“Të luaj për klubin më të madh për mua është fantastike. Në fazën që jam tani si futbollist dhe si njeri dhe me përvojën që kam, jam gati. Është momenti i duhur për të nisur këtë sfidë të shkëlqyer.

Unë nuk e kisha mbyllur karrierën. Nuk funksionoi herën e parë siç kisha shpresuar, por tani jam shumë i uritur për të treguar veten dhe ndihmuar skuadrën. Pas eksperiencës në Bundesligë (20 gola) unë u transferova në Premier Ligë dhe e vura re që është një tjetër nivel këtu. Jemi sigurisht në një formë shumë të mirë aktualisht. Unë dua të jap gjithçka për klubin dhe përpiqem të bëhem pjesë e drejtimit të suksesshëm në të cilin po shkojmë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat