Agjenti italian për Ermal Krasniqin: I intereson veç futbolli

Futboll

Agjenti italian për Ermal Krasniqin: I intereson veç futbolli

Më: 26 janar 2023 Në ora: 23:03
Ermal Krasniqi në veprim

Ish-sulmuesi i Ballkanit, Ermal Krasniqi, shkëlqeu në debutimin e tij me Clujin, duke shënuar një gol dhe një asist . Për agjentin italian që ndërmjetësoi kalimin e tij në klubin rumun, Stefano Salvini, ai është tërësisht i koncentruar në futboll dhe kjo e ndihmon.

Transferimi nga Ballkani te Cluj u bë për 200 mijë euro.

Mirëpo, një shifër të tillë parash mund të thuhet se ai e kompensoi me vetëm paraqitjen e tij të parë në kampionatin rumun, ku la mbresa të mëdha. Ermal Krasniqi është kryefjala e shtypit sportiv rumun.

Rreth tij për gazetën “Gazeta Sporturilor” u prononcua vetë agjenti italian, Stefano Salvini, që ishte një ndërmjetës në transferimin e sulmuesi kosovar te klubi rumun. Salvini tregoi si karriera e Krasniqit ka filluar tek si 18-vjeçar dhe si është i përkushtuar që të mos dekecentrohet nga aktiviteti i tij si futbollist profesionist, duke shmangur çdo dalje gjatë netëve të vona.

“Ka filluar të luajë në një skuadër të vogël të futsallit. Pastaj e zbuluan si talent në Kosovë dhe arriti deri te skuadra e parë profesioniste. Vetëm se në atë moment ishte 18-vjeçar.

Megjithatë, shumë shpejt mori veten dhe e fitoi mundësinë që t’i tregojë vlerat e tij në Rumani, si dhe në gara evropiane, ku e pret një ndeshje e dyfishtë me Lazion”, shtoi ai.

“Është një çun i përpikët. Është shumë i mirë. Për të vlen vetëm rutina shtëpi – stërvitje – ndeshje – shtëpi. Më ka treguar se asnjëherë nuk ka qenë në ndonjë klub nate gjatë jetës së tij. Më tha se nuk i intereson jeta e natës dhe se dëshiron të jetë në versionin më të mirë të tij në futboll”, shpjegoi ai.

24-vjeçari malishevas nuk ka hezituar aspak që ta pranojë ofertën e Clujit. Agjenti italian rrëfehu edhe ca dromca prapaskenash nga ai çast.

“Kur i tregova rreth mundësisë që të vijë në Rumani, menjëherë më tha «Po! Besoj te vetja ime dhe dua ta dëshmoj vlerën time jashtë zonës së rehatisë.

Do ta shohësh se sa jam i fortë». Është një çun i drejtëpërdrejtë.

Po tregon se çfarë di të bëjë, ndonëse ka vetëm dy javë që është bërë pjesë e skuadrës së re.

Është shumë i uritur. Dhe, nuk personifikohet me fjali të llojit ‘jam më i miri’, e të tjera. Është punëtor”, tha agjenti italian.

Italiani mendon se përforcimi i ri kosovar i Clujit do të marrë edhe më shumë ftesa nga kombëtarja “dardane”, edhe pse pranon se konkurrenca është shumë e vështirë.

“Do të ketë më shumë mundësi që të ndiqet te Cluji, edhe përmes ndeshjes së dyfishtë kundër Lazios, e cila do të zhvillohet gjatë muajit tjetër.

Do të ftohet akoma më shumë edhe nga kombëtarja kosovare, anipse nuk duhet harruar që do të ketë një konkurrencë të egër, me lojtarë që luajnë në kampionatet më të mëdha evropiane”, deklaroi ai.

Krejt në fund, Salvini për gazetën rumune tregoi se ka edhe emra të tjerë të lojtarëve që janë pjesë aktualisht e Ballkanit e që po kërkohen nga klube të ndryshme evropiane. Ai tregoi edhe emrat e tyre.

“Në skuadrën kosovare janë dy lojtarë të tjerë të vëzhguar si në Rumani, ashtu edhe në kampionatet tjera të këtij kontinenti. Gjithandej. Edhe në Evropën Lindore, përfshirë edhe Rusinë, edhe pse tani është paksa më e ndërlikuar. Rrahmani, sulmuesi qëndror dhe Korenica – janë lojtarët në fjalë”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat