Vajzat rrëfejnë emocionet

Futboll

Vajzat rrëfejnë emocionet

Më: 14 prill 2023 Në ora: 19:37
Pamje nga një stërvitje

Kampionati i Shkollave 9-vjeçare për vajza po i afrohet fazës finale, teksa ky kompeticion që zhvillohet në nivel rajonal ka tërhequr interesimin e shumë vajzave nga i gjithë vendi, të cilët janë angazhuar me ekipet shkollore dhe luajnë çdo javë ndeshje mes bashkëmoshatareve.

Ky kampionat organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me shoqatat rajonale të futbollit, teksa ekipet e shkollave pjesëmarrëse luajnë në rajonet e tyre në një turne me sistem grumbullim pikësh për të shpallur në fund të sezonit edhe ekipin fitues të rajonit përkatës.

Çdo skuadër ka maksimalisht 16 vajza të regjistruara dhe luhet në formatin 7×7, ndërsa FSHF financon zhvillimin e këtij kampionati duke u ofruar skuadrave bazë materiale, uniforma si edhe duke paguar trajnerët, që zakonisht janë pjesë e shkollave si mësues të edukimit fizik.

Përgjegjësi i Futbollit të Vajzave në FSHF, Florjan Riza, shprehet se ecuria e këtij kompeticioni ka qenë mjaft e mirë deri më tani dhe se vajzat pjesëmarrëse janë shumë entuziaste, duke shfaqur një dëshirë shumë të madhe për t’u angazhuar me sportin e futbollit.

“Ky është sezoni i tretë që FSHF bashkëpunim me shoqatat rajonale organizojnë kampionatet e shkollave 9-vjeçare në futboll për vajza.

Dy skuadrat fituese të vendeve të para do të ndeshen në play-off-et për të shpallur fituesen e qytetit.

Ne kemi pasur një ecuri shumë të mirë dhe vajzat janë shumë entuziaste, ka një dëshirë të madhe për të luajtur futboll në këtë grup-moshe. Mbase do na duhet që të hedhim hapa edhe më cilësorë s i përket organizimit të ndeshjeve specifike apo edhe patronazhimit të këtyre ekipeve për vajza në shkollat 9-vjeçare me klubet e futbollit.

Ka një kërkesë të vazhdueshme të vajzave për të luajtur futboll dhe shifrat po rriten vazhdimisht, numërojmë rreth 400 vajza të regjistruara vetëm në kampionatin e shkollave në Tiranë”, – thotë Riza në një prononcim për Fshf.org.

Më tej, ai thekson edhe objektivat kryesore që FSHF ka, duke nisur nga masivizimi i futbollit të vajzave e deri te përfitimet shëndetësore e sociale për të gjithë të rejat.

“Sa më shumë vajza të marrin pjesë në lojën e futbollit, të ushtrojnë këtë sport të bukur për arsyet themelore që dihen siç është argëtimi, pra futbolli është argëtues, futbolli është edukues, futbolli është i shëndetshëm. Mendoj që me këto tre elementë kryesorë ne duhet t’i thërrasim të gjithë të rinjtë, jo vetëm vajzat, që të jenë jo thjeshtë futbollistë të ardhshëm profesionistë, por lojtarë të vazhdueshëm të futbollit.

Ajo që duam ne është që nga një masivitet i madh i vajzave të përzgjedhim elementët më cilësorë për t’i inkuadruar ato në klubet e futbollit për vajza”, – theksoi Florjan Riza.

Një nga ndeshjet e zhvilluara këtë javë ishte edhe ajo mes ekipeve të shkollave “Vasil Shanto” dhe “Drita Pelinku” në Tiranë, dy nga skuadrat pjesëmarrëse të këtij kampionati të veçantë e mjaft të dashur. Mësues i edukimit fizik në shkollën “Vasil Shanto”, Adriatik Gjoni, i cili është edhe trajner i skuadrës së shkollës shprehet se ka një dëshirë të madhe nga ana e vajzave për t’u angazhuar në këtë kampionat futbolli.

“Kampionati i shkollave 9-vjeçare në futboll për vajza është një risi e veçantë. Është e rëndësishme të masivizohet futbolli i vajzave dhe unë shoh që ka një dëshirë dhe pjesëmarrje të madhe nga vajzat për t’u aktivizuar me ekipin e futbollit. Vajzat janë të pritura të luajnë futboll dhe kërkesat janë të larta. Kjo është diçka shumë e bukur”, – tha Gjoni.

Ndërsa Enia, një nga nxënëset e shkollës “Vasil Shanto”, vlerëson këtë eksperiencë të bukur. “Unë jam pjesë e skuadrës së shkollës time, Vasil Shanto dhe ne marrim pjesë në kampionatin që zhvillohet mes shkollave. Për mua është një eksperiencë shumë e bukur dhe një iniciativë shumë interesante.

, shpresoj që të fitojmë”, – thotë ajo, kurse Çelestina, nxënësja e shkollës “Drita Pelinku” ka vlerësuar gjithashtu këtë iniciativë të FSHF-së. “E vlerësoj këtë nismë të FSHF-së si shumë të mirë, sepse sporti të zhvillon shumë në çdo aspekt, si fizik dhe psikologjik. Të ndihmon gjithashtu në zhvillimin e karakterit dhe sigurisht ne luajmë futboll edhe për t’u argëtuar”.

Masivizimi i futbollit të vajzave është një nga prioritetet kryesore të Federatës Shqiptare të Futbollit, që organizon tashmë në të gjithë vendin kompeticionet të shumta e ku janë të përfshira një numër i madh vajzash të cilat janë të apasionuara pas sportit më të bukur në botë.

Kampionati i Shkollave 9-vjeçare, ku marrin pjesë vajzat e moshës U-13 e që zhvillohet në nivel rajonal, është një nga turnetë më të rëndësishëm të FSHF-së për zhvillimin e futbollit të vajzave. Pikërisht nga ky kampionat dalin edhe futbollistet e ardhshme që më pas bëhen pjesë e ekipeve profesioniste që garojnë në garat e FSHF-së.

Në përfundim të kampionateve të shkollave 9-vjeçare të zhvilluara në shoqatat rajonale do te organizohen edhe faza play-off, që do të përcaktojë edhe ekipin fitues në rang vendi.

Ekipet fituese të çdo kampionati rajonal do të përballen në fazën play-off e më konkretisht ekipi fitues i Korçës do të sfidojë ekipin fitues të Elbasanit, ai i Fierit do të ndeshet me Durrësin, ndërsa ekipi fitues i Shkodrës do të luajë me ekipin fitues të Tiranës.

Tre ekipet fituese të çifteve do të përballen në një triangolare, që do të zhvillohet në fushat e Shtëpisë së Futbollit për të shpallur edhe ekipin kampion për këtë sezon. Sakaq, datat dhe oraret e ndeshjeve mbeten për t’u përcaktuar.

Në total llogariten janë mbi 1000 vajza të angazhuara me ekipet e shkollave në këto kampionate rajonale në të gjithë vendin. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti nuk është kampionatizmi, por masivizimi dhe afrimi i vajzave me futbollin, në mënyrë që të kultivohen sa më shumë talente për ekipet profesioniste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat