Me garat në Klinë përfundoi edicioni i dytë i projektit ”Girls just want to play football” 

Futboll

Me garat në Klinë përfundoi edicioni i dytë i projektit ”Girls just want to play football” 

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 23:23
Pamje nga aktiviteti

Me garat e filloristeve që u mbajtën në komunën e Klinës ka përfunduar edicioni i dytë i projektit ”Girls just want to play football” (Vajzat duan vetëm të luajnë futboll), të cilin tash e disa ditë e ka organizuar FFK-ja me mbështetjen e UEFA-së.

Në këtë garë morën  pjesë 10  shkolla (SHFMU) me afro 100 vajza të përfshira. Gjatë këtyre garave që u organizuan në 6 komuna (Viti, Lipjan, Fushë Kosovë, Vushtrri, Gjakovë e Klinë) vajzat shkollare treguan lojëra të mira me futboll cilësor, duke dëshmuar talentin e tyre si dhe ndeshjet u përshkuan me frymë sportive e entuziazëm dhe dashuri ndaj lojës së futbollit.

Duke i falënderuar për organizim dhe angazhim si dhe vashat për lojëra të mira, anëtarja e KE dhe njëherësh kryetare e Komisionit për futbollin e femrave znj. Vjollcë Krasniqi ndër të tjera theksoi: ”FFK-ja një nga prioritet e saj në strategjinë zhvillimore e ka pikërisht futbollin e femrave e që është edhe qëllimi i këtij projekti.

Një falënderim i veçantë shkon për Shoqatat komunale të Pedagogëve, profesorët e Kulturës fizike e në veçanti dua t’i falënderoj vajzat që dhanë kontribut të jashtëzakonshme në zhvillimin e këtyre garave. Besoj shumë se këto gara të këtij projekti u kanë shërbyer në radhë të parë socializimit të vajzave, njohjes së ndërsjellë si dhe shfaqjen e talentit të tyre, që një ditë të jenë edhe shtylla të zhvillimit të kombëtareve të femrave.

Po ashtu veçmas ky projekt u ka shërbyer trajnerëve të klubeve të femrave që të identifikojnë vajzat me talent për lojën e futbollit e të cilat do të jenë baza e klubeve të tyre. Ju them me përgjegjësi se FFK-ja do të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte të tilla, ku objektiv do ta kenë zhvillimin dhe përparimin e  futbollit të femrave”.

Fituese e garave në Klinë ka dalë SHFMU ”Emin Duraku” nga Ceroviku pasi në finale e mundit ekipin  e vajzave të SHFMU ”Ismet Raci” nga Klina, me rezultat 3:1 Në fund ekipit fitues dhe vendit të dytë iu ndanë edhe kupat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat