Kombëtarja e Kosovës U21 vazhdon punën me optimizëm për ndeshjen kundër Estonisë

Futboll

Kombëtarja e Kosovës U21 vazhdon punën me optimizëm për ndeshjen kundër Estonisë

Më: 13 qershor 2023 Në ora: 23:27
Afrim Tovërlani

Kombëtarja e Kosovës U21 ka vazhduar punën intensive në stërvitje në kuadër të përgatitjeve për ndeshje e parë kualifikuese kundër Estonisë, e cila zhvillohet më 20 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Përzgjedhësi i kësaj grupmoshe, Afrim Tovërlani dhe disa nga lojtarët e grumbulluar shprehen optimistë për rezultat pozitiv, teksa shpalosin atmosferën e mirë dhe harmoninë që mbizotëron në ekip.

Tovërlani thotë se grupi i futbollistëve të kombëtares është i përbërë nga lojtarë vendorë, si dhe nga ata që luajnë në Zvicër, Gjermani dhe shtetet skandinave. Ai thekson se çdo futbollist që është ftuar në këtë grumbullim është i zgjedhur në bazë të meritave të tij dhe dëshirës për të mbrojtur ngjyrat e Kosovës.

Ai tha se ekipi tashmë është i kompletuar dhe se e kanë analizuar kundërshtarin. “Gjatë këtyre ditëve do të tentojmë që pikat e dobëta të tyre t’i shfrytëzojmë dhe pikat e forta t’i mbulojmë, për të mos i lejuar të na rrezikojnë.

Megjithatë, çdo ndeshje është histori në vete dhe gjithmonë mund të ketë risi, sepse asnjëherë nuk e dinë se si luan kundërshtari.

Realisht e kemi një grup të mirë të futbollistëve. E kemi përballë një Estoni e cila ndoshta nuk e ka fuqinë e Gjermanisë apo shteteve tjera që i kemi në grup, por për neve si Kosovë nuk ka kundërshtarë të dobët sepse duhet të jemi modest dhe të llogarisim që nuk kemi shumë vite që marrim pjesë në garat ndërkombëtare.

Duhet të jemi shumë të sinqertë dhe që me shumë punë, shumë angazhim e disiplinë të arrijmë deri te rezultatet”, theksoi Tovërlani.

Futbollisti i FC Aarau, Milot Avdyli, thekson se atmosfera në ekip është shumë e mirë. Ai vlerëson faktin se grupi i lojtarëve të Kombëtares U21, i cili është i përzier me lojtarë që luajnë në klubet e Evropës dhe në Kosovë është shumë i bashkuar.

“E kemi studiuar kundërshtarin me trajnerin Tovërlani dhe stafin e tij.

Besoj se jemi në rrugën e duhur për t’u përgatitur sa më mirë për përballjen me Estoninë. I ftoj tifozët ‘Dardanët’ që të vijnë në numër sa më të madh në ndeshjen e 20 qershorit dhe të na përkrahin sepse e kemi një grup shumë të mirë të futbollistëve.

Gjenerata 2002 edhe më herët është kualifikuar në ‘Elite Round’, prandaj besoj se do të ketë befasi edhe tash”, tha Avdyli.

Anëtari i Hamburger SV, Valon Zumberi thekson harmoninë në ekip dhe thotë se stërvitjet po shkojnë mirë. “Atmosfera dhe harmonia në ekip është shumë e mirë.

Edhe stërvitjet po shkojnë mirë dhe besoj se do të përgatitemi mirë për Estoninë. Kemi ekip më të mirë dhe në fund besoj se do të arrijmë fitore.

Pres nga tifozët që të na përkrahin sa më shumë për të arritur sukses”, u shpreh Zumberi.

Ndërkaq, futbollisti i FC Ballkanit, Lindon Emërllahu vlerëson faktin se ky grup i futbollistëve është pothuajse i njëjtë me atë të grumbullimit të marsit në Turqi, duke vënë në pah bashkëpunimin dhe unitetin në ekip.

“Besoj se me këtë grup të lojtarëve dhe me trajnerin Tovërlani do të paraqitemi mjaft mirë. E kemi analizuar mirë Estoninë. Jemi më të fortë dhe besojmë në fitore”, nënvizoi Emërllahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat