Shqipëria nis llogaritë

Futboll

Shqipëria nis llogaritë

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 19:52
Shqipëria

Gjermani 2024 nuk mund të konsiderohet më një ëndërr, por një objektiv real, me Shqipërinë që po i bën gjërat si duhet në kualifikueset e kampionatit europian.

Kuqezinjtë i kaluan me sukses dy ndeshjet e qershorit, duke mundur Moldavinë në shtëpi dhe Ishujt Faroe në transfertë, rezultate që e “katapultuan” kombëtaren shqiptare në vendin e dytë me 1 pikë pas Çekisë pas 3 ndeshjesh të luajtura.

Rezultatet e fundit, por mbi të gjitha loja e treguar, jep besim dhe shpresë se kjo skuadër ka shanse reale për të arritur në finalet e europianit verën e ardhshme.

Sylvinho i ka dhënë një tjetër fytyrë skuadrës, që arrin të krijojë raste, të shënojë, të ketë ide loje dhe frymën fituese.

Megjithatë, kundërshtarët e qershorit ishin ekipet që vinin nga vazot poshtë Shqipërisë dhe në letër kuqezinjtë e kishin detyrim për të marrë maksimumin, për të vijuar rrugën drejt Gjermanisë. Tani, në horizont vjen momenti më delikat, për të mos thënë ai më përcaktues, ndeshjet e shtatorit. Kuqezinjtë luajnë fatin e kualifikimit  ndaj dy rivalëve që konsiderohen si më të fortët e grupit.

Në 7 shtator, Shqipëria viziton Pragën, ku ndeshet me skuadrën kryesuese të grupit, Çekinë. Tre ditë më vonë skuadra e Sylvinhos pret në shtëpi Poloninë, kundërshtar ndaj të cilit nis pjesa e dytë e kualifikueseve. Çekia ka mundur Poloninë dhe Ishujt Faroe, por ka barazuar me Moldavinë, që është surpriza e këtij edicioni.

Polakët në krahun tjetër i gëzohen vetëm 3 pikëve me Shqipërinë në shtëpi, ndërkohë janë mundur nga Çekia dhe Moldavia e në shtator ka mundësinë e fundit për të shpresuar.

Dy kundërshtarë që do të jenë barometri i vërtetë për Shqipërinë, që duhet të tregojë të njëjtën fytyrë si në ndeshjet e qershorit, për të rivalizuar me Çekinën në transfertë, e më pas të marrë hak ndaj Polonisë e t’i nxjerrë këta të fundit nga gara për Europianin.

Nëse edhe në shtator e mbyll pa humbje, atëherë shanset për të qenë në aktivitet verën e ardhshme janë maksimale, me shpresë se në Gjermani do të ketë  një dyndje kuqezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat