Grezda rrezikon ndeshjen e kthimit

Futboll

Grezda rrezikon ndeshjen e kthimit

Më: 16 korrik 2023 Në ora: 15:20
Grezda

Lajmet nuk janë aspak të mira.

Partizani mund të ketë sipas të gjitha gjasave një mungesë të rëndësishme në sfidën e kthimit në Champions ndaj BATE-s së Borisovit.

Ish-sulmuesi i kombëtares, Eros Grezda, pësoi një dëmtim gjatë një ndeshjeje kontrolli brenda grupit, luajtur në stadiumin e Kamzës, dhe burime në klub pohojnë se do të jetë e vështirë që të riaftësohet në kohë për ndeshjen e së martës, në turin e parë eliminator.

Pritet që këto dy ditë të vlerësohet niveli i lëndimit në kaviljepër të mësuar nëse Grezda do të jetë i gatshëm apo jo.

Trajneri Zoran Zekiç vendosi që këto ditë të mos stërvitej në fushën e kompleksit të klubit në Tufinë, e cila është me bar artificial, por në fushë me bar natyral për t’u përshtatur për duelin që do të luhet pikërisht në një terren në tillë në Budapest të Hungarisë.

Kampionia e Shqipërisë arriti vetëm një barazim 1-1 në sfidën e parë luajtur në “Arenën Air Albania” të martën e kaluar, me bjellorusët që kaluan të parët në avantazh dhe me barazimin që u arrit falë golit të Carës.

Klubi i kuq, ndërkaq, ka vendosur të krijojë një ambient për tifozët në Tiranë që të ndjekin ndeshjen e kësaj të martë të 18 korrikut.

Ftesa në faqen zyrtare në FB është që tifozët të mblidhen tek Amfiteatri i Akademisë së Arteve, në Sheshin Nënë Tereza në kryeqytet.

Trajneri Zekiç ka deklaruar se shanset për kualifikim janë 50 me 50 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat