Skuadrat shqiptare për të shkruar historinë

Futboll

Skuadrat shqiptare për të shkruar historinë

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 12:26
Ballkani

Klubet shqiptare kanë bërë progres në vitet e fundit. Duke arritur që të kalojnë ture në Europë, madje të pretendojnë që të prekin dhe fazën e grupeve.

Skënderbeu një herë e një kohë u bë ekipi i parë që arriti të shkonte dy herë në fazën e grupeve të Europa League. Kukësi dhe Laçi edicion pas edicioni arrinin të kalonin ture, pavarësisht kundërshtarëve që kishin përballë.

Shkëndija për shumë sezone është ndalur në fazën e “play-off” nga emra si Milan, Tottenham, Rosenborg dhe Gent. Ballkani, në debutimin europian shkoi në grupet e Conference League. Ndërsa Drita ka luajtur si e barabartë me kundërshtarë me emër.

Skuadra shqiptare nga të gjitha trevat, që në arenën ndërkombëtare kanë bërë të flitet shqip. Këtë edicion, për herë të parë është mundësia që në fazën “play-off” të kemi tri skuadra shqiptare.

Partizani, Struga dhe Ballkani kanë fituar ndeshjet e para në raundin e tretë të Conference League dhe tani do të luajnë shanset e tyre për të mbërritur në raundin e fundit eliminator, duke qenë një hap larg grupeve.

Asnjëherë më parë nuk kanë qenë tri skuadra shqiptare në të njëjtën kohë në “play-off”. Sezonin e shkuar, Shkupi u përball me Ballkanin në këtë raund, ndërsa këtë edicion, të tria skuadrat shqiptare do të kenë kundërshtarë të ndryshëm.

Çka do të thotë se për herë të parë në histori, shanset janë shumë të mëdha që në grupet e Conference League, të kemi më shumë se një skuadër shqiptare.  Partizani, Ballkani dhe Struga kanë në dorë që të shkruajnë historinë.

Duelet e së enjtes, Lincoln-Ballkani (18:00) – 0-2 ndeshja e parë – dhe Hesperange-Struga (20:00) – 1-3 takimi i parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat