Luzim Shala për sfidën Kosovë - Zvicër: Nuk duhet ti harrojmë gjestet patriotike të Xhakës dhe Shaqirit

Futboll

Luzim Shala për sfidën Kosovë - Zvicër: Nuk duhet ti harrojmë gjestet patriotike të Xhakës dhe Shaqirit

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 2 shtator 2023 Në ora: 20:11
Lulzim Shala

Përballja Kosovë - Zvicër, pritet me emocione të mëdha jo vetëm nga dashamirët e futbollit.

Ndeshja zhvillohet më 9 shtator (20.45) në kuadër të xhiros së pestë të kualifikueseve për Kampionatin Evropian.

Një ndeshje që zgjon ndjenja të mëdha emocionale, e para Zvicra mike do të zbarkojë në Kosovë me katër shqiptarë, kapitenin Granit Xhaka, Xherdan Shaqirin, Ardon Jasharin dhe Uran Bislimin.

Image

E dyta, Kosova dhe Zvicra për herë të parë ndeshen në një ndeshje që luftohet për pikë, hiq miqësoren me 29 mars të pranverës së vitit të kaluar, ku u ndanë baras (1:1).

E treta, tifozët Dardanët do të shohin një ndeshje me emocione, për herë të parë Xherdan Shaqirin me shokë do të zbarkojë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtnë. 

Image

Shaqiri e Xhaka

Gazetari i mirënjohur sportiv Lulzim Shala, që punon në Radio Kosovë, tha se është një ndeshje ku paraqitën shumë futbollistë shqiptarë. 

“Takimet ndërmjet kombëtareve, ku paraqiten shumë futbollistë shqiptarë, vetvetiu janë emocionale dhe përcillen me kureshtje të madhe.

Kështu do të ndodhë edhe me perballjen ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës”, thotë Shala për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Shala ka bërë me dije se sa herë që Zvicra ka zhvilluar ndeshje në nivelet më të larta, shqiptarët kanë anuar për Zvicrën.

 “Natyrisht sa herë që Zvicra është paraqitur në evente të mëdha evropiane dhe botërore, ne kemi anuar për futbollistët shqiptarë që luanin për këtë përfaqësuese.

Tani emocionet janë të ndara, përkundër që të Zvicra paraqiten legjendat tona si Xhaka e Shaqiri, por edhe lojtarët tjerë shqiptarë të cilët do të zbarkojnë në Kosovë.

Të gjithë këta futbollistë shqiptarë, publiku ynë duhet t’i mbështetë dhe t’i përkrahë për gjithë kontributet e tyre, për botën mbarëshqiptare”, shprehet Shala.

Gazetari i mirënjohur dhe i gjeneratës së sakrificës (në vitet e 90-ta, në rezistencë ndaj regjimit serb), shprehet se nuk duhet të harrojnë në asnjë rrethanë Xhakën dhe Shaqirin, kudo që kanë luajtur promovuan edhe Kosovën në mënyrë më të mirë të mundshme.

“Nuk duhet t’i harrojmë gjestet patriotike të Xhakës dhe Shaqirit dhe ta respektojmë vendimin për të luajtur për Zvicrën”, ka nënvizuar Shala.

Zvicra kryeson me 10 pikë, duke lënë pas Rumaninë me 8, Izraelin 7, Bjellorusinë 3, Kosovën 3 dhe Andorrën me 1 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat