Ylli i Juventusit kapet mat në Madrid

Futboll

Ylli i Juventusit kapet mat në Madrid

Më: 18 tetor 2023 Në ora: 11:16
Foto ilustrim

Një e hënë pushim e kaluar në Madrid dhe kaq mjaftoi që menjëherë miliona aludime të ngrihen në qiell.

Pikërisht kështu, sepse po flasim për Dushan Vlahoviçin, jo për një futbollist dosido.

Sigurisht që me gjithë milionat që fitojnë, për ta edhe një qytet i largët i botës është një stacion autobusi për njerëzit e thjeshtë, por fakti që nga Torino sulmuesi serb kishte zgjedhur të kalonte ditën që trajneri Masimiliano Alegri u kishte dhënë pushim lojtarëve të tij, sigurisht që bëri jo pak bujë, aq më tepër duke parë se si ishte kamufluar ai.

Pantallona të shkurtra dhe me një bluzë me kapuç në kokë, i shoqëruar nga dy truproja me shpresën për të mos u njohur. Por jo, Dushan nuk mund t’i shpëtonte një tifozi të Realit të Madridit, i cili menjëherë shpërndau videon e juventinit duke dalë nga një prej hoteleve më të shtrenjtë dhe një nga bazat e grumbullimeve të skuadrës “galaktike”, “Four Seasons”.

Ndonëse u ngjit me shumë shpejtësi në makinë dhe me dy truprojat që tentonin të mbanin larg kamerat e celularëve, Vlahoviç mësohet se ka qenë i shoqëruar nga motra e tij dhe ditën e djeshme në mëngjes u paraqit normalisht në stërvitje, nën urdhrat e trajnerit Masimiliano Alegri, për të përgatitur sfidën ndaj Milanit, pasi ka rikuperuar plotësisht nga dhimbjet e shpinës.

Ndoshta, mund të ketë qenë vetëm një udhëtim qejfi, familjar, ai në Madrid, për të kaluar një ditë ndryshe me motrën e tij ky destinacion i zgjedhur nga Dushani…

Ndoshta aktualisht Reali i Madridit nuk duket se ka nevojë për askënd më, teksa po shijon një Xhud Bellingam në formë fantastike…

Po, mund të jenë të dyja këto, por i vetmi fakt i pakundërshtueshëm në radhët e Realit është se ata pas largimit të Karim Benzemasë janë në kërkim të një numri 9, i cili ka cilësi totalisht të ndryshme nga Bellingam, Vinicius apo Rodrigo dhe padyshim që të gjithë këto mund të gjenden te Vlahoviçi, i cili xhiron e parë në Madrid e ka bërë tashmë, por nëse ai do të jetë qyteti i tij i ardhshëm, ku do të luajë e jetojë në vazhdim, diçka e tillë pritet të mësohet vetëm në vazhdim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat