Klasikja shkon për Vllazninë, Tirana bie në kryeqytet

Futboll

Klasikja shkon për Vllazninë, Tirana bie në kryeqytet

Më: 17 dhjetor 2023 Në ora: 15:36
Pamje nga ndeshja

Vllaznia mposht Tiranën në Selman Stermasi dhe fiton sfidën e ashtuquajtur si Klasikja e Shqipërisë.

Një gol i Bekim Balajt me penallti i mjaftoi kuqebluve për të dalë me tre pikë shumë të rëndësishme nga kryeqyteti. Në minutën e 36 të pjesës së parë një top i prekur me dorë nga Kaina u akordua penallti nga arbitri Kreshnik Cjapi.

Nga pika e bardhë u shfaq kapiteni i kuqebluve që uk gaboi duke dërguar topin në një krah e portierin Leon Kozi në krahun tjetër. Tirana tentoi të reagonte në pjesën e parë, por edhe në fraksionin e dytë.

Megjithatë, bardheblutë nuk ishin mjaftueshëm konkretë edhe pse patën disa mundësi me Lulaj apo Përgjonin. Në fund, shkodranët mund të kishin dyfishuar avantazhain, por Malaj dhe Balaj shpërdoruan.

Gjithsesi, në fund ishin shkodranët që festuan në kryeqytet dhe pas këtij trepikëshi, skuadra e Qatip Osmanit ngjitet në kuotën e 23 pikëve në vend të katërt, po aq sa edhe Tirana e vendit të tretë. Bardheblutë e Julian Ahmatajt duken se kanë harruar të fitojnë pasi ndaj Vllaznisë regjistruan ndeshjen e katërt pa fitore.

Nga ana tjetër, u mbyll pa fitues me rezultatin 0-0 derbi i luajtur në Niko Dovana mes Erzenit dhe Teutës. ishin durrsakët ata që ishin më pranë fitores pasi në pjesën e parë shpërdoruan një penallti, me Erando Karabecin që gaboi nga 11-metrat.

Në vijim pati disa mundësi për të dyja skuadrat, por shënjestra nuk ishte ajo e duhura. Në fund, Teuta e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pasi në minutën e 88 Ardit Iljazi koleksionoi kartonin e dytë të verdhë. Pas këtij barazimi, Teuta mbetet e fundit me 16 pikë ndërsa Erzeni mban vendin e tetë me 18 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat