Tirana komandon në mundje

Futboll

Tirana komandon në mundje

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 13:23
Tirana

Federata Shqiptare e Mundjes ka mbyllur kalendarin e garave për vitin 2023 me kampionatin kombëtar për të rritur, aktivitet i zhvilluar të dielën në sallën “Farie Hoti” në Tiranë.

Në kampionatin e mundjes morën pjesë rreth 80 sportistë, të cilët përfaqësonin skuadrat: Besëlidhja A, Besëlidhja B, Tirana A, Tirana B, Jonas Wrestling, Teuta A, Teuta B, Flamurtari, Vllaznia, Kukësi dhe Studenti.

Si zakonisht u garua në të dyja stilet, në atë greko-roman dhe në stilin e lirë. Pas dueleve të para të zhvilluara gjatë paradites, në mesditë ishte radha e ceremonisë së hapjes, me fjalimin përshëndetës të bërë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni.

Siç është bërë traditë me rastin e aktiviteteve të tilla, FSHMja nderoi edhe me pllakadën e mirënjohjes Arblin Karajin, anëtar i Komitetit Drejtues të federatës, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë ndër vite për zhvillimin e mundjes në Shqipëri”.

Duke kaluar te duelet, ato dhuruan emocione, ndërsa u bënë edhe më elektrizuese nga atmosfera e krijuar nga sportdashësit në sallë. Edhe një herë tjetër skuadra e Tiranës u konfirmua si superfuqi absolute në këtë mundje, teksa armata bardheblu u shpall kampione në rang ekipor në të dyja stilet.

Në stilin greko-roman, Tirana e drejtuar nga trajneri Oltion Karaj grumbulloi 202 pikë, duke merituar venin e parë, ndërsa podiumi u plotësua nga Besëlidhja dhe Studenti.

Sportisti më i mirë i aktivitetit në stilin greko-roman u shpall Gjetë Prenga i Besëlidhjes.

Për sa i përket stilit të lirë, Tirana e drejtuar nga Leonard Çakmashi u shpall kampione me 225 pikë, duke fituar nëntë nga dhjetë kategori peshash. Në vend të dytë u klasifikua Teuta dhe në vend të tretë skuadra Jonas Wrestling.

Sportisti më i mirë i kampionatit në stilin e lirë u shpall Orges Lila i Tiranës. Në fund u mbajt edhe ceremonia tradicionale e vlerësimit të fituesve në rang ekipor dhe për çdo peshë, me mundjen shqiptare që mbyll kështu një nga sezonet më intensive.

Përveç aktiviteteve të moshave dhe të të rriturve, garave ndërkombëtare, FSHM-ja këtë vit ka sjellë në Shqipëri edhe dy evenimente madhore ndërkombëtare, siç ishte Kampionati Botëror U-23 dhe Europiani U17, kompeticione që janë zhvilluar në Tiranë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat