Transferimi 1 milion euro! Ja sa përfitoi skuadra kampione e Kosovës

Futboll

Transferimi 1 milion euro! Ja sa përfitoi skuadra kampione e Kosovës

Më: 28 dhjetor 2023 Në ora: 18:49
Krasniqi

Rapid Bukuresht ka zyrtarizuar transferimin e Ermal Krasniqit nga CFR Cluj, ku anësori do të mbajë numrin 77.

Krasniqi ka mbërritur në Rumani nga Kosova, nga Ballkani, ku ka qenë shok skuadre me një tjetër lojtar të Rapidit, golashënuesin Albion Rrahmani.

“Jam i lumtur që kam ardhur në Rapid, tifozët janë të jashtëzakonshëm.

Më pëlqeu shumë atmosfera në Giulesti dhe dua që së bashku të luftojmë për kampionatin”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka nënshkruar kontratë të vlefshme për dy sezone e gjysmë, me opsion vazhdimi edhe për një sezon.

Në sezonin aktual, Ermali ka luajtur 12 ndeshje për Clujin, në kampionat, ku ka dhënë dy asistime për gola.

Ashtu si dy të Koosvës e tjerë në skuadrën e Cristiano Bergodit, edhe Krasniqi luan për Kosovën.

Transferimi i Krasniqit është nënshkrimi i tretë i këtij dimri për Rapid Bukureshin, pas Florent Hasanit dhe Borisav Burmazit.

Skuadra e Ballkanit e ka pritur me shumë vëmendje të ardhmen e Ermal Krasniqit, pasi klubit nga Kosova i interesonte të shitej sa më shtrenjtë ish-sulmuesi i tyre.

Suharekasit e kishin shitur në janar Krasniqin për 200 mijë euro, derisa 100 mijë të tjera i kishin bonuse nëse Cluj do të futet në grupet e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës apo Ligës së Konferencës.

Megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi pasi Cluj nuk arriti të siguronte grupet, duke bërë që klubi të humbte 100 mijë euro bonuse.

Por klubi suharekas do fitojë nga shitja e Ermal Krasniqit te Rapid Bukuresht, pasi kishte ruajtur 15 për qind të kartonit.

Sipas mediave rumune, Krasniqi është shitur nga Cluj te Rapid Bukuresht për 1 milion euro.

Pra klubit nga Suhareka do t’i shkojnë në arka diku rreth 150 mijë euro, që në total nga shitja e Krasniqit i bie të kenë fituar 350 mijë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat