Trajneri i Realit të Madridit flet për Brazilin, Mbapenë, veteranët dhe dëmtimet

Futboll

Trajneri i Realit të Madridit flet për Brazilin, Mbapenë, veteranët dhe dëmtimet

Më: 2 janar 2024 Në ora: 18:54
Karlo Ançeloti

Karlo Ançeloti ka folur të martën gjerë e gjatë për situatën aktuale tek Reali i Madridi, përfshirë këtu lojtarët që janë në përfundim të kontratës, për mbrojtjen madrilene, për përvojën e tij në “Santiago Bernabeu”, për Kilian Mbapenë dhe për ofertën që e kishte nga përfaqësuesja e Brazilit, të cilën në fund e refuzoi pasi e zgjati kontratën me gjiganden spanjolle deri në vitin 2026.

 “E dua Real Madridin dhe dua të rri këtu. Mund të rri këtu edhe pas karrierës si trajner. Kisha kontakte me Brazilin, natyrisht,. por gjithçka kishte mbetur në “vend-numëro”, pasi gjithmonë isha duke e pritur Realin e Madridit. Jam i lumtur të qëndroj këtu”.

Duke folur më tej në konferencën për shtyp para ndeshjes së të mërkurës në kampionat me Majorkën, trajneri italian preku edhe çështjen e Toni Krosit, Naços dhe Luka Modriçit, që kanë kontratë vetëm deri në fund të qershorit të këtij viti.

 “Ata mund të vendosin se çka duan të bëjnë. Ju takon atyre të vendosin, ua kemi dhënë të drejtën të vendosin vetë. E ardhmja është tashmë në rrugën e duhur me shumë talente dhe Endrik do të vijë gjithashtu shumë shpejt këtu”.

Ai u pyet edhe për Kilian Mbapenë, i cili në verë do të jetë lojtar i lirë pasi do t’i skadojë kontrata me Paris SG-në.

 “Nuk do të komentoj për këtë çështje. S’kam koment, ju duhet ta dini se ne nuk flasim për këtë”.

Kohëve të fundit Realit iu dëmtua njëri prej mbrojtësve kryesorë, David Alaba, por, përkundër mungesave në qendër të mbrojtjes, Ançeloti nuk e sheh të nevojshëm transferimin e ndonjë lojtari tjetër.

 “Ne nuk po mendojmë ta transferojmë ndonjë qendërmbrojtës në këtë moment. Ne i kemi Naçon dhe Rudigerin si qendërmbrojtës. Gjithashtu, kemi edhe Tshuamenin e Karvahalin, të cilët mund të luajnë si qendërmbrojtës”.

Reali i Madridit mban kreun e renditjes pas 18 javësh në kampionatin spanjoll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat