Supersfidë në “Loro Boriçi”

Futboll

Supersfidë në “Loro Boriçi”

Më: 27 janar 2024 Në ora: 11:12
Vllaznia

Vllaznia është ekipi më i mirë i momentit në kampionat, por jo vetëm. Shkodranët të mërkurën morën fitoren e 6-të rresht në këtë sezon. 5 në kampionat dhe 1 në Kupën e Shqipërisë.

Në Superiore kanë triumfuar ndaj skuadrave si Dinano, Tirana, Skënderbeu,  Erzeni dhe Kukësi, ndërsa në Kupë triumfuan ndaj Flamurtarit. Kuqeblutë po kalojnë me sukses çdo kundërshtarë, me rivalët që duken shumë të “vegjël” përpara dëshirës dhe forcës së shkodranëve.

“Djemtë” e Qatip Osmanit do të luajnë ndaj Partizanit ditën e dielë, takim që do të startojë në orën 17:00 në “Loro Boriçi”. Kjo përballje është e vlefshme për javën e 21-të të Superiores, ndërsa cilësohet edhe si prova e së vërtetës për shkodranët.

Aktualisht Vllaznia mban vendin e 3-të në tabelën e klasifikimit me 32 pikë, 3 më pak se Partizani i vendit të dytë. Nëse shkodranët arrijnë të kalojnë me sukses edhe “demat” atëherë kuqeblutë do të merrnin vendin e dytë në klasifikim dhe do të ishin skuadra për t’u mundur në Superiore.

Një pikë e fortë e skuadrës shkodranë në këtë ndeshjet e fundit është edhe mbrojtja dhe portieri Kristi Qarri. Gardiani e ka mbajtur portën e pa prekur në kampionat në 4 ndeshje, duke treguar një siguri të madhe në katërkëndësh. Mbetet të shihet se çfarë do të na servirë dueli i së dielën mes dy ekipeve që  do të luftojnë shumë për 3 pikët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat