FIFA drejt unifikimit të trofeut të Kupës së Botës për femra dhe meshkuj

Futboll

FIFA drejt unifikimit të trofeut të Kupës së Botës për femra dhe meshkuj

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 11:36
Messi

FIFA dëshiron që në Kongresin e saj të Jashtëzakonshëm më 17 maj, që do të mbahet në Tajlandë, të unifikojë trofetë për fituesit e Kupës së Botës në futboll për meshkuj dhe femra. Trofeu i ri që do të merrte vendi kampion i Botërorit të ardhshëm, i cili do të mbahet në vitin 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada do të kishte “binjakun” e vet në Botërorin e femrave 2027.

Deri tani trofetë e kampionëve të botës për meshkuj dhe femra janë të ndryshme. Ai që Messi ngriti në “Katar 2022” është evolucioni i kupës tradicionale “Jules Rimet”, e cila u krijua në vitin 1930 dhe ishte në fuqi deri më 1970. Formati aktual u prezantua në Kupën e Botës “Gjermani 1974”. Dizajni është i skulptorit të famshëm Gazzaniga, italian.

Ajo që Ivana Andrés ngriti në Kupën e Botës për Femra në Australi dhe Zelandën e Re vitin e kaluar është vepër e skulptorit libanez Sawaya, i cili krijoi versionin e parë në vitin 1991. Ka dallime mes dy trofeve, të cilët FIFA do t’i unifikojë. Trofeu për meshkuj është 36.8 centimetra dhe peshon 6170 kilogramë, nga të cilët 5 kilogramë janë ari.

Vlera e tij është 250 mijë euro. Modeli i trofeut për femra ka gjatësi prej 47 centimetrash dhe peshë prej 4.6 kilogramësh. Materiali me të cilin është punuar është argjend i mbuluar me ar 23 karat. Vlera e tij është rreth 35 mijë euro.

Por jo vetëm në trofeun që ngrenë kampionët ka dallime mes Kupës së Botës për meshkuj dhe femra. Kompeticioni i meshkujve u zgjerua nga 24 në 32 ekipe finaliste më 1998, ndërsa ai i femrave nga 16 në 24 ekipe më 2015 dhe në 32 ekipe edicionin e fundit, gjë që e bëri atë të barabartë me turneun e meshkujve 2022. Por kjo nuk do të mbetet e njëjtë. Kupa e Botës 2026, e cila do të organizohet nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika, do të përfshijë 48 vende, 16 prej të cilëve përfaqësojnë Evropën.

Çmimet financiare, për momentin, nuk janë të njëjta. Edhe pse Kupa e Botës për Femra e shumëfishoi vlerën e saj me pesë herë midis edicioneve 2019 dhe 2023 (shkoi nga 30 në 150 milionë euro), shumat janë ende larg atyre të shpërndara për meshkujt. Edhe pse rritja e futbollit të femrave ka qenë spektakolare, përpjekja e stacioneve televizive për të luftuar për të drejtat është më e madhe te burrat, aq sa shkaktoi ankesa nga FIFA.

Presidenti i saj, Gianni Infantino, fajësoi transmetuesit televizivë për hendekun e çmimeve, për mosbërjen e ofertave më tërheqëse për të drejtat televizive në garat e femrave. Infantino kritikoi hapur disa kanale për ofrimin e vetëm 1% të asaj që u pagua për turneun e fundit të meshkujve.

Në shifra globale, Kupa e Botës 2022 kishte një audiencë, përmes të gjitha kanaleve të komunikimit, prej rreth 5 miliardë njerëz. Botërori i Australisë dhe e Zelandës së Re për femra kaloi një miliard e gjysmë. Popullsia e botës aktualisht është afër 8 miliardë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat