105 vite Vllazni

Futboll

105 vite Vllazni

Më: 17 shkurt 2024 Në ora: 11:32
Pamje

Klubi i futbollit Vllaznia ka festuar 105-vjetorin e themelimit. Në festimet e organizuara morën pjesë edhe Zv. Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu.

Gjatë fjalimit të tij, Dervishaj uroi klubin shkodran për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe historik. Duke i përcjellë edhe përshëndetjet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të kreu të saj Armand Duka.

“Kam kënaqësinë të ndodhem sot mes jush, në këtë përvjetor të rëndësishëm dhe historik, për klubin tuaj. Ju përshëndes dhe ju uroj, në emër të të gjithë komunitetit të futbolli shqiptar.

Gjithashtu, ju sjell përshëndetjet e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Presidentit Armand Duka, për këtë datë jubilare që ju festoni sot. Gëzuar dhe suksese të mëtejshme në punën tuaj”, tha fillimisht Dervishaj.

Më tej, ai shtoi se Vllaznia ka qenë dhe mbetet një vlerë e padiskutueshme e futbollit në vend, që ka prodhuar gjithmonë potenciale futbollistësh. Të cilët i kanë shërbyer jo vetëm Vllaznisë, por edhe Kombëtares. Duke u bërë simbole të saj, që nga Loro Boriçi e deri te Elseid Hysaj.

“Vllaznia ka qenë dhe mbetet një vlerë e padiskutueshme e futbollit në vend.

Një skuadër që ka prodhuar gjithmonë potenciale futbollistësh, të cilët i kanë shërbyer jo vetëm Vllaznisë por edhe Kombëtares duke u bërë simbole të saj.

Loro Boriçi, Ernest Halepiani, Bimo Fakja, Xhevdet Shaqiri, Muhamet Dibra, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Ferit Rragami, Hysen Zmijani, Bardh Jera, Rudi Vata, e deri tek Bekim Balaj dhe Elseid Hysaj etj.

Vllaznia mbetet një nga vlerat e padiskutueshme të qytetit dhe të gjithë Shqipërisë dhe çka është më e rëndësishmja një burim frymëzimi për rininë shkodrane. Një shembull me vlerë, që duhet ndjekur”, theksoi Dervishaj.

Veç urimeve të shumta, Dervishaj i dhuroi Vllaznisë fanellën e Shqipërisë me numrin 105, që simbolizon përvjetorin e themelimit të klubit shkodran.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat