Inter, 5 arsye të forta për të mos pasur frikë në Madrid

Futboll

Inter, 5 arsye të forta për të mos pasur frikë në Madrid

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 16:52
Inter

Ka gola që mund të jenë të paçmuar dhe madje të justifikojnë një investim prej 10 milionë eurosh. Ja sa u pagua këtë verë për Marko Arnautoviç, një sulmues ekspert dhe i talentuar që me blerjen e tij nga Bolonja u shoqërua me dyshime për dobinë e tij në këtë Inter.

Dyshime që kanë ardhur në rritje në këtë sezon që praktikisht nuk e ka parë asnjëherë si protagonist, veçse në mënyrë negative. Refreni po përsëritej të martën, në pjesën e dytë, kur austriaku hyri në lojë në vend të Turamit të lënduar dhe humbi tre shanse të favorshme.

Megjithatë, në tentativën e katërt, Arnautoviç, i ngushëlluar dhe inkurajuar nga shokët e tij, gjeti golin që mund të kishte vlerë të madhe për Interin, duke e ndihmuar të arrijë në çerekfinale dhe t’i tregoj Europës se edhe sivjet, kushdo që dëshiron të ngrejë Ligën e Kampionëve do të duhet të merret me djemtë e Inzagit, të cilët tani kanë pamjen e një ekipi të madh.

Të mundësh Atletikon e Madridit është e vështirë: megjithëse spanjollët nuk janë më ai grupi i “banditëve” fantastikë që vitet e fundit, veçanërisht në mbrojtje, ishin të pamposhtur, megjithatë mbeten një ekip fizik, teknik, solid dhe me vlerë. Por Interi fitoi në mënyrë të merituar dhe bindëse, duke krijuar shumë në pjesën e dytë. 1-0 ishte pak, por nënkampionët e Italisë mund të shkojnë të qetë edhe në transfertën e pas dy javëve.

Në “Wanda Metropolitano” klima do të jetë shumë e nxehtë, por për të avancuar spanjollët do të duhet të fitojnë me dy gola diferencë. Janë të paktën 5 arsye – pa ndonjë renditje të veçantë – pse Inzaghi duhet të jetë optimist në lidhje me ndeshjen e kthimit dhe të besojë në kalimin në turin tjetër?

1)-Mbrojtja e Interit është një mur pothuajse i papërshkueshëm. Mes kampionatit dhe Champions-it në 31 ndeshje (24 + 7), porta e Zomerit mbeti e paprekur 19 herë (15 + 4). Departamenti i mbrojtjes ofron siguri në nivel individual dhe kolektiv: disa interpretues mund të ndryshojnë (Açerbi mungoi të martën dhe De Vrij nuk zhgënjeu), por jo rezultati përfundimtar.

2)- Mesfusha është sektori në të cilin Interi është më i fortë dhe mund të konkurrojë me çdo ekip tjetër europian. Dy lojtarë kyç si Çalhanoglu dhe Mkhitarian patën një ndeshje me më pak shkëlqim ndaj Atletikos, por pavarësisht kësaj Interi, me Barelën ndër më të mirët, zotëroi fushën dhe krijoi shumë. Me turkun dhe armenin në nivelet e tyre, transferta iberike do të jetë më pak e frikshme.

3) — Mund të fitosh edhe pa pasur Turamin dhe Lautaro në tabelën e golashënuesve. Interi është në gjendje të bëhet i rrezikshëm me shumë lojtarë dhe në fund të shënojë edhe me një nga sulmuesit rezervë.

4)-Mentaliteti tani është ai i një ekipi të madh. Në pjesën e parë Interi dukej paksa i tensionuar, thuajse po studionte kundërshtarin, por asnjëherë nuk i trembej.

Ndërgjegjësimi për forcën e tij, aftësia për të mbajtur fushën, gjetja e momentit për të goditur, di të mbrohet duke mbajtur gjithmonë një qëndrim sulmues. Këto janë të gjitha cilësi që ekipi zikaltër tregon vazhdimisht se i ka. Në fund të ndeshjes, lojtarët e kënaqur me rezultatin thanë menjëherë thuajse njëzëri se do të shkojnë në Madrid për të fituar edhe ndeshjen e kthimit. Ky quhet mentalitet fitues.

5)- Kompaktësi dhe bashkim. Të gjithë në fushë ndihmojnë njëri-tjetrin, vrapojnë për shokun e tyre, marrin pjesë mendërisht në çdo aksion. Nuk ka kurrë gjeste bezdie pas një pasimi të gabuar, një rasti të humbur ose një zëvendësimi gjatë ndeshjes. Ata që luajnë nga fillimi, ata që hyjnë, ata që mbeten në stol marrin pjesë në ndeshje dhe fitore me të njëjtën energji dhe entuziazëm.

Falë Inzagit i cili dëshmon në çdo ndeshje se e ka grupin totalisht në dorë.

Gjestet e dashurisë ndaj Arnautoviçit pas rasteve të humbura tregojnë atmosferën pozitive në dhomat e zhveshjes. Kur një ekip përballet me ndeshjet dhe kundërshtarët me këtë frymë, gjysma e punës është bërë.

Kësaj i shtojmë padyshim lojën, proaktive, solide, bindëse dhe të qartë. Interi bën gjithmonë të njëjtat gjëra, por gjithmonë i bën mirë. Me një formë sportive optimale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat