Matthaus: Nuk njoh asnjë trajner

Futboll

Matthaus: Nuk njoh asnjë trajner

Më: 27 shkurt 2024 Në ora: 16:50
Matthäus

Xabi Alonso po bën histori në futboll. Pas thyerjes së rekordit për ndeshje i pamposhtur (33) në historinë e futbollit gjerman, Bayer Leverkuseni i tij, i cili ende nuk ka humbur këtë sezon, është në rrugën e titullit kampion, por jo vetëm.

Liderët e Bundesligës, me 8 pikë përpara Bayernit, janë ende garues në gjysmëfinalet e Kupës së Gjermanisë (ku do të përballen me Fortuna Düsseldorf) dhe në 1/8 finale të Ligës së Evropës (do të përballen me Qarabag).

Ish-skuadrat e tij (Liverpool dhe Bayern Munich) e kanë spanjollin në axhendë, për t’u bërë trajner i tyre. Për më tepër, “Reds” dhe bavarezët tashmë e dinë se trajnerët e tyre (Klopp dhe Tuchel) nuk do të vazhdojnë sezonin e ardhshëm.

“Unë jam duke menduar për klubin ku jam tani. Jam në një klub të mrekullueshëm dhe po e shijoj. Mendoj se është vendi i duhur. Kjo është gjithçka që mund të them. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen? Nuk e di dhe për momentin nuk jam i shqetësuar”, – tha Alonso, i cili ka një kontratë deri në vitin 2026 me Leverkusen.

Një debat i hapur, për të cilin Lothar Matthäus foli në “Sky Germany”: “Në kërkimin e një pasuesi për Tuchel, do të doja të thoja se Xabi Alonso duhet të jetë në krye të listës së Bayernit. Kjo për shkak të rezymesë së tij, autoritetit dhe punës së suksesshme në Leverkusen.

Unë nuk njoh asnjë trajner në Evropë që të përshtatet më mirë se Alonso te Bayerni. Tani për tani, Xabi është i fokusuar te Leverkuseni dhe mendoj se është mirë. Ai ende nuk është i interesuar për Bayernin, Liverpool-in apo Real Madridin. Është i interesuar vetëm të fitojë tre trofe me Leverkusenin në dy muajt e ardhshëm.

Ai është trajner inteligjent, siç ishte edhe si lojtar. I qëndron besnik personit të tij. Ajo që thuhet dhe do të thuhet për të nuk ndikon tek ai. Nuk ka presion dhe mund t’i shohë gjërat në mënyrë të qetë. Ndoshta ëndrra e tij është stoli i Bayernit, Liverpool-it apo Real Madridit në një moment, por për mendimin tim, nuk ka mbaruar ende punë te Leverkuseni.

Xabi nuk është dikush që tërhiqet nga emrat e mëdhenj, ka festuar shumë suksese si lojtar. Nuk ndikojnë as paratë. Ajo që ka rëndësi për të është çfarë ka ndërtuar dhe me kë e ka ndërtuar.

Ai e di nga vjen dhe çfarë iu detyrohet të tjerëve. Prandaj. nuk e shoh në një klub të ri sezonin e ardhshëm. Po ashtu, nuk shoh Mourinhon, Löw apo Zidane duke udhëhequr Bayern Munich".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat