Emini vlerëson rikthimet te skuadra e Besës

Futboll

Emini vlerëson rikthimet te skuadra e Besës

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 12:16
Besa

Besa ka vijuar përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Fidaim Haxhiu në prag të sfidës me Vorën. Në ekip janë rikthyer edhe lojtarët që munguan ndaj Kastriotit si Kamohelo dhe sulmuesi Mustafa Ba. Mesfushori Endrit Emini për “Panorama Sport” pohoi se Besa është më e fortë dhe më e rrezikshme kur është e plotë.

“Ndaj  Kastriotit bëmë një pjesë të parë mjaft të mirë, por u ndje mungesa e Mustafa Ba dhe e Kamohelos.

Nuk u treguam të saktë përpara portës. Mund të luash mirë, por goli është ai që të nderon.

Ajo që më bën optimist është fakti se ne prodhojmë lojë dhe raste në çdo takim.

Do të arrijmë te suksesi me disa korrigjime. Faza e tretë? Nuk e vlerësoj Vorën meqë do të luajmë kundër tyre, por është fakt se pas Bylisit dhe Elbasanit, vorakët janë ekipi më i fortë.

Kemi luajtur dy herë dhe na kanë mundur. Ndryshimi themelor me ato takime është se nuk kishim grupin që kemi sot. Me këtë dua të them, se  Besa është më e fortë dhe e aftë të kërkojë pikë në çdo fushë. Askush nuk e përmend, por Besa është ekipi i vetëm që luan të gjitha ndeshjet jashtë fushës së saj.

Çdo ekip nuk do ta kishte të lehtë, ndërkohë që kjo ka dhe anën tjetër të medaljes, atë që tashmë jemi ambientuar me takimet jashtë Kavajës.

Në Vorën do të udhëtojmë me synim për të marrë rezultat pozitiv. Faza e tretë do jetë një ‘luftë’ e vërtetë, ndaj për pozitën që kemi në tabelë jemi të detyruar të kërkojmë pikë në çdo takim. Se sa do ia dalim, kjo do të varet më shumë nga ne se sa nga kundërshtarët. Nëse Besa arrin të bëjë lojën e saj, duke mos shpërdoruar rastet, atëherë gjithçka është e mundur”, u shpreh mesfushori Emini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat