Mehmeti: Egnatia e fortë, ne plot entuziazëm!

Futboll

Mehmeti: Egnatia e fortë, ne plot entuziazëm!

Më: 29 shkurt 2024 Në ora: 19:15
Dritan Mehmeti

Java e 26-të e Superiores nis të premten. Me sfidat Egnatia-Dinamo City dhe Laçi-Skënderbe (13:30), ndërkohë që nesër është programuar dhe përballja Partizani-Kukësi (17:00).

Skuadra dinamovite i dha fund kundër Vllaznisë (0-1) ecurisë pozitive prej 5 ndeshjesh radhazi pa humbje në kampionat.

Dhe kundër kryesuesve të Egnatias do të tentojë rikthimin te pikët. 18 herë kampionët e Shqipërisë ndajnë vendin e katërt me Tiranën.

Përpara transfertës në Rrogozhinë, trajneri Dritan Mehmeti u ndal tek ekipi kundërshtar, gjendja e Dinamos dhe gara për një biletë në katërshen e parë.

“Nuk kemi patur shumë kohë për ta përgatitur këtë ndeshje pas asaj me Vllazninë. Kemi mungesa të konfirmuara, Hoxhën dhe Behiratçen për kartonë. Kemi dhe një shqetësim me Andonin. Të shikojmë çfarë vendimi do të marrim. Por edhe pjesa që do t’i zëvendësojë është e denjë dhe meriton ta prezantojë Dinamon.

Egnatia? Është rritur shumë, ka ditur të menaxhojë situatën edhe për sa i takon merkatos. Ka bërë diferencën në kualitete dhe në rezultate. Ka një filozofi loje të sajën. Trajneri nuk është lëvizur dhe kjo ndikon. Ka individë të veçantë, janë 3-4 lojtarë që i kanë dhënë Superiores. E respektojmë kundërshtarin në maksimum.

Ne vijmë nga një lojë në rritje dhe kjo na jep entuziazëm. Jemi koshientë për forcën e Egnatias, por do të mundohemi t’i përgjigjemi, duke e goditur në pikat e dobëta dhe duke marrë masa për pikat e forta.

Mungesat e Egnatias? Janë lojtarë me eksperiencë dhe kanë bërë diferencën në kampionat, si Aleksi, edhe Ndreca. Por edhe dy mungesat tona janë shtylla të skuadrës. Ku i kemi ne mungesat, në çfarë pozicioni, dhe ku i kanë ata, ndoshta janë ata më favoritë. Megjithatë, ne nisemi si të barabartë. Do të bëjmë maksimumin si Dinamo.

Loja? Më vjen mirë për rritjen e cilësisë së lojës nga skuadra, kemi një fizionimi. Kemi nevojë që gjatë gjithë 90-minutëshit të kemi lojë të mirë. Skuadra duhet të ketë karakterin dhe ta menaxhojë në mënyrën e drejtë lojën.

Kontingjenti? Prandaj është një skuadër me shumë forca. Janë të gjithë të barabartë, por me vlera të ndryshme. Ata që do të luajnë ndaj Egnatias, besoj se do të bëjnë një prezantim shumë të mirë.

Final 4? Gara nuk është vetëm me Tiranën. Është një moment kyç i kampionat, i vështirë për të gjitha skuadrat. Faktor kyç është se si do të menaxhohet aspekti fizik, sepse ndikon edhe lodhja. Janë edhe 33 pikë në lojë dhe është e paparashikueshme se çfarë mund të ndodhë”, përfundoi trajneri i skuadrës kryeqytetase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat