Tevez i “shkel syrin” Serie A

Futboll

Tevez i “shkel syrin” Serie A

Më: 11 prill 2024 Në ora: 13:18
Carlos Tevez

Carlos Tevez, një ish-sulmues i madh që ka veshur fanellën e Juventusit në Serie A, është sot në krye të Independientes, skuadrës argjentinase.

Ai ëndërron të kthehet në Itali. Këtë e shpreh edhe vetë, në intervistën e gjatë për “Gazzetta dello Sport”:

“Italia është një vend që e mbaj në zemër. A do të doja të kthehesha? Do të doja shumë, ndoshta si trajner. Serie A është një nga kampionatet më të mira në botë, mendoj se duhet të rritem për ta merituar”.

Si po shkon përvoja juaj në stol dhe çfarë trajneri është Tevez?

Jam trajner pasionant, dikush që vendos shpirtin e tij çdo ditë në stërvitje. Ne luajmë futboll dinamik; ushtrojmë presing të lartë dhe tregojmë vëmendje të madhe ndaj fazës së sulmit. Jam në unison me lojtarët e mi, kam pasur mësues (trajnerë) të shkëlqyer.

Për shembull?
Unë jam i frymëzuar nga Conte për pasionin dhe obsesionin e tij për fitoren. Nga Bielsa kam marrë vëmendjen për detajet, ndërsa nga Fergusoni qetësinë e madhe në menaxhimin e grupit. Mendoj edhe për Mancinin dhe Allegrin. Nëse më duhet të them vetëm një, megjithatë, unë zgjedh Antonion.

Çfarë synimesh keni për të ardhmen?

Së pari, të përmirësohem. E di që kjo është një rrugë e gjatë, ku duhet t’i luaj mirë kartat e mia.

Kam pasur një karrierë të shkëlqyer si lojtar, do të doja ta bëja edhe si trajner. Më pëlqen shumë trajningu, nuk e mendoja se mund të bëhesha kaq i pasionuar pas kësaj. Mendoj shumë për Italinë, kush e di nëse do të kem një mundësi në të ardhmen.

Në Itali ju lidheni me Juventusin…

Më duhej të shkoja në Milani, por nuk varej nga unë apo Galliani. Gjithmonë ka pasur vlerësim dhe shumë respekt mes nesh.

Pastaj, sa herë që luaja me Milanin kam bërë shumë mirë. Juve lëvizi mirë, madje edhe pak fshehurazi, ia doli të më merrte. Megjithatë, kush e di, ndoshta mund të kryqëzohemi sërish me Milanin. Ndoshta si trajner.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat