Aktori i njohur mitrovicas Bedri Selmani (alias Ismail Qemali) së shpejti sjell në skenë monodramën për Ismail Qemalin ndër vite

Kultura

Aktori i njohur mitrovicas Bedri Selmani (alias Ismail Qemali) së shpejti sjell në skenë monodramën për Ismail Qemalin ndër vite

Nga: F. Beka Më: 18 gusht 2021 Në ora: 20:50
Bedri Selmani

Një ndër personat që sipas të gjithë atyre që e njohin është kopje e gjallë e tribunit Ismail Qemal Vlora ( njeriut të urtë , mendjendritur dhe patriotit të kohës që së bashku me patriotët dhe figurat e mëdha qendrore si Isa Boletini edhe Hasan Prishtina), Bedri Selmani aktori amator mitrovicas i cili pas vetës  ka një aktivitet të begatshëm prej gjysmë-shekulli në aktivitete kulturore edhe artistike e skenike, këtyre ditëve është në vlugun e punës për të sjell në skenë projektin më të ri – monodramën për Ismail Qemalin ndër vite.

Ai do të shfrytëzojë dhuntinë e Zotit, për ngjashmërinë e pabesueshme me figurën e ismail Qemalit, jo vetëm në pamje që llogaritet “kopje e gjallë” por edhe në tiparet, mendimin e thellë, zërin e butë skenik dhe vrullin kur preket apo cenohet ndjesia shqiptare,  për të sjell në skenë disa nga episodet kryesore të jetës së Ismail bej Vlorës në një përmbledhje të teksteve, që pasqyron në pika të shkurtra jetën, angazhimin dhe aktivitetin politik gjatë gjithë jetës së tij.

Bedri Selmani (alias Ismail Qemali) njihet si një ndër pionierët e skenës dhe artit skenik mitrovicas nga vitet e largëta 1970, ku së bashku me artdashës edhe aktor tjerë amator, ka qenë një ndër organizatorët e jetës kulturore e artistike në qytetin buzë Ibrit, bile në arkiv ekziston edhe nj film i krijuar amator nga ajo kohë.

Mitrovicasit pak më n ë moshë mund të mbajnë mend  dramën “Kështjella dhe helmi” të Ismail Kadaresë  dramën “Keti” nga Sejdi Zeka, “Hamalli” nga Osman R. Gashi, “Lulja e Shega” të Vedat Kokonës e shumë shfaqje tjera, ku ndër rolet kryesore ka luajtur Bedri Selmani (Ismail Qemali i Mitrovicës).

Aktivitetin si aktor Bedri Selmani e nisi me rolin kryesor në “Besa” të Sami Frashërit dhe regji të Riza Luboveci (i ndjerë) e Musa Mehmeti, për të vazhduar me “Hakmarrjen” e Jusuf Kelmendit me regji të Dibran Gashit (Fyelli) , rolet tjera në “Shtatë shaljanët”, “Mbreti Yll” me regji të zekë Murselit, “Heloiza e Abelarti” në regji të Selatin Kaçanikut e shumë role tjera kryesore e episodike.

“Duke parë figurën madhore, por edhe rolin e pakontestueshëm në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 , po pres mbështetje nga të gjithë artdashësit, kompanitë por edhe institucionet lokale edhe qendrore, pasi Ismail Qemali meriton një ‘rikthim’ në histori përmes monodramës për jetën e tij ndër shekuj” thotë Bedri Selmani, që shton se premiera sa i përket atij si aktor, është shumë afër realizimit, por mbeten disa çështje tjera përcjellëse të përmbushen.

Ai duke njohur shpirtin artistik të mitrovicasve, beson dhe është i bindur se do të gjejë mbështetje për të sjell në skenë Ismail Qemalin në formën dhe formatin çfarë nuk e kanë parë edhe njohur deri më tash, ndonëse jeta edhe vepra e tij meriton shumë më tepër se një monodramë, shprehet ai.

Ai e quan nder edhe privilegj që në punën e deritashme në aktivitete e ndryshme kulturore ka pasur përkrah shumë emra të skenës mitrovicase , si me Fahri Beqirin në “Shota” , pastaj Sejdi Zekën si emra të njohur në jetën kulturore në Mitrovicë etj.

Kësaj radhe aktori mitrovicas, që shumica e mitrovicasve e njeh si Ismail Qemali i gjallë, ka vendosur të sjellë Ismail Qemalin në formë të përmbledhjes së teksteve, dialogjeve  me figurat e kohës Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina dhe gjeneralin  e pavarësisë Isa Boletini, përmes projektit për të cilin ka premtim për mbështetje, por e cila ende nuk po vjen.

Nëse çdo gjë shkon mbarë, si në mbështetjen e këtij projekti nga institucionet lokale e qendrore, por edhe artdashësit edhe kompanitë tjera, atëherë mitrovicasit dhe jo vetëm ata, shumë shpejtë mund të shohin premierën e monodramës për Ismail Qemalin nga “kopja e gjallë” e tij – aktori mitrovicas Bedri Selmani.

 

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat