Një grusht dhe për Nanën

Kultura

Një grusht dhe për Nanën

Nga: Lis Bukuroca Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 21:13
Foto ilustrim, nëna

në një qoshe

mbështjellë e pështjellë

me rrobe plot rrudha

si letra e hedhur truç

merr një sy gjumë nana:

e plogësht

pa gjallëri

e zbehur

ul qepallat dhe pushon

Nana pushon përgjithmonë

***

Jeta është dramë.

Jeta fillon me qarjen tonë dhe gëzimin e atyre përreth nesh.

Ata gëzohen kur dëgjojnë qarjen tonë të parë.

Ata qajnë kur përjetojnë heshtjen tonë të fundit!

Çdo jetë e ka përfundimin tragjik, sepse në fakt, jeta është një teatër tragjik!

Megjithatë vdekja nuk është dënim.

Ajo është shpërblim dhe mbarim!

Ajo është çlajmërim nga praniaplot dhembje.

Ajo është nisje. Udhëtim. Çlirim. Kthim.

Nana ime ishte vetëm njëra nga ato shumë nëna, të cilat e përjetuan ashpër peshën e patriarkalizmit: peshën e burrit, peshën e diskriminimit, peshën e padrejtësisë dhe peshën e "fajit" pse ishte lindur me gjini „jofisnike“; të gabuar dhe të penalizueshme!

Nëna ime qe një nënë, që të ligën e refuzonte me dashuri, me durim dhe nuk dinte të urrejë apo të hakmerret! Sikur të mos kishte jetuar në një shoqëri primitive, do të kishte qenë një personalitet i madh i kulturës apo i shkencës! Jetoi te ne dhe vdiq në anonimitet të imponuar me dhunë!

Nëse e shohim botën shqiptare me sytë e grave, bijave dhe motrave tona, do ta shohim shpesh një botë të zymtë, të ngushtë, xheloze, inferiore, me komplekse, një botë të padrejtë dhe të përlotur: një botë në vaj! Një botë shpesh në ankth, që të merr frymën. Një botë të zhgënjyer. Një botë të trisht dhe zemra të trishtuara plot drithërima, si gjethet në një degë të brishtë! Për fat të keq, jo rrallë, edhe sot!

Në kohën e vet, në kulmin e famës, Hegeli konsiderohej profesor i profesorëve, Nënë Tereza mund të konsiderohet Nënë e Nënave, kurse nëna ime mund të quhet Nanë e Nanave të heshtura, që padrejtësinë e kudnërshtojnë vetëm me vepra dashurie. Pa fjalë! Pa i nënvizuar veprimet.

Përveç dhembjes pse iku Nana, qëndron përball krenaria dhe mirënjohja, tok me dashurinë dhe kujtimin e përjetshëm. Megjithatë, vdekja e prindërve në moshë të shtyrë dhe para fëmijëve, është edhe një lloj shpërblimi: fëmijëve dhe prindërve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat