Mendimet në shkrimet e mia nuk e njohin vdekjen

Kultura

Mendimet në shkrimet e mia nuk e njohin vdekjen

Nga: Nasho Bakalli Më: 12 janar 2022 Në ora: 23:28
Nasho Bakalli

Shkrimi im i parë, postuar nga unë, u publikua në faqet e gazetës Bota Sot në vitin 2019. Kjo gazetë kishte botuar nja dy shkrime të miat edhe më herët të mara ato nuk e di se nga çfarë burimesh, dhe, ky fakt më nxiti që ti drejtohem asaj drejtpërdrejtë.

Mendimet në shkrimet e mia nuk e njohin vdekjen. Ato flasin për jetën nëpërmjet një gjuhe në lëvizje të vazhdueshme nga kujtesa te harresa, dhe anasjelltas. Anasjelltas, sepse edhe kallëza e grurit lind nga kokra që “harrohet” duke mbirë pas mbjelljes në tokë. Jam ndofta ndër ata që vetëm jetës i këndojnë në faqet e gazetave ku, edhe për shumë vite ajo do të vegjetojë, përderisa ende ka njerëz të cilët nuk duan që jeta apo humanizmi të mbizotërojë.

E konsideroj veten të kënaqur ngaqë kam mundësinë të lexohem paprerë, për vite me rradhë, te Bota Sot. U jam mirënjohës redaktorëve të gazetës që më japin hapësirën e nevojshme, në print dhe online, për të ndarë me lexuesit e shumtë të Bota Sot - në Shqipëri, Kosovë, Zvicër, Gjermani, Amerikë… - pikëpamjet dhe këndvështrimet e mia politike. Edhe kur redaktorët refuzuan të botonin një artikull timin, dhe kjo ka ndodhur vetëm një herë, në tre vite, ata ishin të sjellshëm dhe transparent. E kuptova pozitën e tyre të vështirë. Sikurse kuptova, nga ana tjetër, një prej miqëve të mi kur më tha se “ a po e din ti se çfarë gazete është Bota Sot…? “Për mua” - i’u përgjigja mikut tim - “nuk ka rëndësi çfarë ngjyre ka macja, mjafton që ajo të kapë minj” , dhe vazhdova, “Unë nuk mar nga Bota Sot asnjë lloj shpërblimi financiar, etj., përveç kënaqësisë personale”.

Unë e di se objektivi dhe pika ime e favorshme janë të ndryshme nga të tjerët që shkruajnë në faqet e Bota Sot. Unë nuk kam lente mikroskopike të përvojës që ka dikush tjetër që jeton përgjithmonë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut… Ambicja ime për të jetuar edhe publikisht ka të bëjë më shumë me tema që jehojnë ngjarje dhe politika në nivel kombëtar, kësisoj unë mund të komentoj apo analizoj me shkrim se si më duken mua, një qytetar i thjeshtë, gjërat nga jashtë; ndërkohë që edhe i lidh zhvillimet politike me aktualitetin, dhe përvojën time vetiake, të miqve, familjes, shoqërisë, dhe të kolegëve - të kombinuara ato me mbresa nga udhëtime të herë pas herëshme në terren.

Gjatë ditëve të fundit rilexova disa nga pjesët që kam pas shkruar kohë më parë. Toni im me kalimin e viteve është bërë më pak optimist. Ndoshta është mosha, ose gjendja globale e punëve, ose situata mbarë shqiptare, po gjithësesi - frengjia që sjell dritën e optimizmit më duket se po ngushtohet pak e nga pak në mendjen time. Më e rëndësishmia, vura re se shpresa që kisha për institucionet në fillim të shkrimeve të mia qe paksa e nxituar. Vite më parë besoja se ndryshime të dukshme pozitive do zinin vend, hap pas hapi, në mënyrën e sjelljes të institucioneve shtetrore. Jam i sigurt se nuk ndihem më, në të njëjtën mënyrë.

Në fushën time të kërkimit dhe gjetjes shkencore - politikat e brendshme dhe të jashtme shqiptare - konstatoj se ka një zhvendosje me kahe të tendosur nga thjeshtëzimi i sjelljeve ekonomike, shoqërore, ushtarake, mjedisore…, se sa, nga cilësia e këtyre sjelljeve, prognoza, dhe arsyetimi i thelluar i tyre. Në politikën e jashtme shqiptare, për shembull, mund të them pa droje se askush nga ministrat e jashtëm, në tre dekadat e fundit, përveç kryeministrave, nuk e di se cilat çështje konsiderohen prioritare dhe të patundëshme në marrëdhëniet tona ndërkombëtare. E them këtë pasi nuk kemi parë apo dëgjuar nga ndonjë ministër i jashtëm të na flasë për ndonjë çështje prioritare dhe të patundëshme me rëndësi kombëtare, e studiuar ajo shkencërisht, që meriton përgëzime të posaçme. Por, kjo nuk do të thotë se nuk i kemi dëgjuar ministërat të shpalosin përkushtimin e tyre për mbarëvajtjen e Teknologjisë të Internetit, të Burimeve Njerëzore, Protokollit, Konsullores (që, meqë ra fjala, nuk janë departamente hulumtimesh të specializuara të marrëdhënive ndërkombëtare në aparatin e MEPJashtme).

Institucionet tona shtetrore të mara ato në përgjithësi janë thuajse të falimentuara, dhe është budallallëk të mendosh për politika madhështore kur në zyrat e shtetit nuk ka mjaftueshëm nëpunës të pajisur me aftësi mesatare arsimore, etike, profesionale... Por, ka edhe pika të ndritshme, për shembull, reagimi ndaj pandemisë Covid-19… është një prej tyre. Përpjekjet e gjithëanshme të qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve, për mbajtjen relativisht nën kontroll të Pandemisë janë një arritje tejet e njerëzishme krahasuar me performancën ndryshe, mediokër, në sektorin e shëndetësisë në dekadat e fundit.

Ajo që më ka trazuar më shumë, kuptohet jo vetëm mua në tridhjetë vitet e fundit, është hipokrizia tingëlluese e institucioneve tona. Shteti impenjohet seriozisht për irakianët dhe afganët në Shqipëri, por, i mban sytë mbyllur të shohi nevojën urdhëruese të kohës për uljen e varfërisë në vend! Premtimet e bëra deri më sot rezultojnë dogmatike; dhe në shumë rasteve janë gënjeshtra - me bisht apo pa bisht; kjo e fundit është një çështje që lidhet drejtpërdrejt me gustot personale të liderëve.

Është koha e duhur që Partia Socialiste të sjellë më shumë koherencë në politikat e saj dhe të gjenerojë, mobilizojë, dhe shpërndajë burime adekuate për zhvillimin e sigurisë ekonomike të popullit. Në një moment kur radikalizmi në PD po ngre kokën e tij të shëmtuar, dhe fuqi të mëdha ndërkombëtare po sillen gjithnjë e më intolerante, aspekti i varfërisë dhe turbulencës sociale duhet të trajtohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Përbashkësia e interesave edhe me biznesin e madh, dhe, kontakti institucional i kësaj përbashkësie me gjëndjen e popullsinë në të tëra zonat e vendit është një domosdoshmëri. Vetëm kështu mund të sendërtohen politika dhe arritje të njerzishme.

Ndërsa ndjehem i zhgënjyer nga institucionet, frymëzohem nga jeta e njerëzisë. Togfjalëshi që përdoret rëndom është "njerëz të thjeshtë”. Megjithatë, këta njerëz nuk janë të zakonshëm. Sepse pritja miqësore rezervuar irakianëve dhe afganëve - të ftuar këta, për një qëndrim afatgjatë në Shqipëri - është një shembull i lartë njerzillëku, i cili shpreh humanizmin tradicional popullor shqiptar.

Nuk e di se sa shpejt apo ngadalë do të evoluojnë, përparashkojnë, institucionet shtetrore në periudhën 2021-2025. Por di se socialistët: pas tre mandateve qeverisje të pandërprerë nuk do munden dot as të sajojnë, e jo më të argumentojnë ndonjë arësye që ti shfajësojë ata për mosngritjen përfundimtare të shtetit mbi shina pune normale.

Nëse shteti do të jetë më i guximshëm, për ta parë deri në detaje vetveten në pasqyrë, padyshim që ai dhe ne do të kemi një jetë të njerëzishme, pra plot humanizëm, jo si e mëparshmja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat