Kush po tallet me taksapaguesin shqiptar!?

Kultura

Kush po tallet me taksapaguesin shqiptar!?

Më: 26 shkurt 2022 Në ora: 11:59
Ilustrim

Jetojmë në një kohë të mbrapshtë, në të cilën kohë, pa pushuar, brenda njëzet e katër orë, vazhdimisht të gënjejnë. Është koha e atyre që, siç pati thënë një publicist, së pari doktorojnë e pastaj e mbarojnë filloren. Është koha e atyre që politika e mbrapshtë shqiptare papritmas u mundësoi të bëjnë “kërcimin” jetësor dhe sot vendosin për fate njerëzish. Është kohë pa kohë, kohë e vlerave të ngatërruara. Dhe këtë kohë mund ta ndryshojnë vetëm ata që nuk kanë etje për pushtet, por etje për ndryshim.

Në këtë etje që moti mungon etje për vlera të reja në kulturën shqiptare, por nuk mungon etje për paratë e buxhetit të kulturës. Në këtë segment lakmia është e pamëshirshme, sa që nuk kursehet asgjë për të marrë ndonjë lek për projekte që thjeshtë e sakatojnë kulturën shqiptare. Jo një herë është thënë se kultura nuk i duron preferencat politike, sepse është segment që mbahet mbi shtyllat e prodhimit shpirtëror, kurse ata që i janë përkushtuar këtij prodhimi janë të paktë, sepse janë të veçantë, sepse ndryshe i shikojnë i gjërat, sepse shpirti i tyre krijues ushqehet me ndjenja të thella dhe të sinqerta, duke ofruar një lëndë magjike, e cila mundëson nxjerrjen në pah të artit të mirëfilltë. Të tillët sot midis nesh janë të paktë dhe nuk shihen, sepse i ka mbuluar ndryshku i ndërgjegjes së atyre që kanë veshur rrobat e egoizmit të skajshëm, i atyre që në tregun politik shiten falas vetëm e vetëm për t’i realizuar qëllimet e tyre meskine. Fatkeqësisht, janë pikërisht këta që e kanë zbehur imazhin e shoqërisë shqiptare, duke e bërë një shoqëri jo vetëm shurdhmemece, por edhe si shoqëri që shtiret se është e verbër.

Asnjë ngjarje kulturore sot nuk organizohet për ta nxjerrë në sipërfaqe të bukurën, por thjeshtë për të vjedhur sa më shumë që është e mundur. Dhe, kur i kritikon, të thonë: “hë, byrazer, po ç’ke ti, çka ka bërë vaki. Përse mërzitesh, janë para të shtetit. Nuk t’i kam marrë nga xhepi”. Kurse shteti si shtet, dihet nuk mund të funksionojë pa tatimpaguesit, përkatësisht pa popullin, ose thënë ndryshe pa mundin e popullit. Hajnat, natyrisht se i vjedhin parat e popullit, paratë tona, vetëm e vetëm që ata të pasurohen.

Ka nga këta organizatori të ngjarjeve kulturore, të cilëve kur u dobësohet rrjedha e çezmës së parave të shtetit, menjëherë organizojnë konferenca shtypi dhe thonë: ne i duam paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Janë me qindra mijëra euro që jepen për projekte, realizimin e të cilëve askush nuk e sheh, aq më pak taksapaguesit shqiptarë. Askush nuk të drejtë të tallet me taksapaguesin shqiptarë, sidomos jo ata që thirren në “kauzën e kulturës shqiptare”.

Pasi politika e solli kulturën në këtë stad, atëherë sipas një rregulli të pashkruar, duhet prapë të përfshihet politika që ta kthejë aty ku e nisi degradimin, në pikën zero. Tjetër ilaç nuk ka.../HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat