Remzi Basha, arti poetik dhe femra si frymëzim magjik

Kultura

Remzi Basha, arti poetik dhe femra si frymëzim magjik

Nga: Baki Ymeri Më: 8 maj 2022 Në ora: 06:40
Foto ilustrim

Artisti krijon për çlirimin dhe lumturimin e shpirtin.. Edhe përmes autorit të këtij shkrimi, letërsia shqipe mëson të udhëtojë në botën e gjerë. Remzi Basha është dhe një vullkan emocionesh dhe ideshë. Në vargjet e tij ballafaqohemi me vullnet, energji dhe vitalitet. Vëllimi respektiv vjen para nesh si një felinar drite dhe fjalor i mençurisë. Autori kosovar i mërguar në brigjet e Skandinavisë, shkruan për jetën, për dashurinë, për atdheun, për botën dhe pavdekësinë. Shpresa e pavdekësisë nuk mund të bazohet vetëm në pasuri, por pikëspari në shpirt, sepse investimi më i madh vjen nga shpirti. Poezitë e këtij libri të ri dëshmojnë se kemi para nesh një ëndërrimtar të lindur me shpirt të florinjtë.

Poezia është maqina për qepje fjalësh, barnatorja e sentimenteve letrare. Vargjet magjike shëmbëllejnë me një erë të këndshme që e përshkojnë dheun. Ato janë uji, dielli dhe mendimi. Remziu është poeti i dashurisë, gjithmonë i etshëm për dashuri. Ka ndonjë forcëtjetër më madhështore se sa fuqia magjike e fjalëve dhe forca e dashurisë? Vargjet e remzi Bashës kërkojnë të shenjtër dhe martirë, të parë jo vetëm si do relikte për përkushtim.

Duke deshifruar vargjet e tij kuptojmë se e shkuara fillon nesër kurse ardhmëria ka nisur dje! Në vargjet e poetit fshihet pavdekësia. Herë pas here, krijon përshtypjen se jemi në shpellën e ëndrrave të bardha. Poezia është rrëfimi më i vjetër dhe më i përsosur, prekja më e çiltërt e shpirtit njerëzor nga madhështia dhe pasuria e pakufishme e botës. Muzën e poezisë, autori i këtij libri din ta afrojë me pasion, porsi një dashnore. Poezia e Remzi Bashës është një art i jashtëzakonshëm. Forca e saj emocionale është e papërshkrueshme. Në këtë pikëshikim vetëm muzika mund t’i konkurojë.

Poezia e madhe lind nga ide të mëdha, nga sentimente dhe nga faktet e njerëzve që e ndërtojnë jetën. Ëndërrimet, frymëzimet, imagjinata, ndjenjat, risitë dhe metaforat janë instrumente të domosdoshme për poetin dhe poezinë. Kush nuk din t’i transformojë idetë në përfytyrime, ai nuk është poet. Poezia lind jo kur duam ne, por kur don ajo. Poeti e kupton jetën si një mrekulli, e jo si një njohje. Poezia e disa poetëve fillon të jetojë pas vdekjes së tyre, kurse e të tjerëve vdes para pensionimit të tyre. Më të preferueshme janë poezitë e shkurta ku me pak fjalë thuhet shumë, se sa poezitë e gjata që konsiderohen si do “çarshafë sentimentesh letrare”. Pa alegori nuk ekziston poezi. Rima është mëkati i parë i poetit. Filozofi mund të mos jetë poet, por një poet duhet të jetë para së gjithash një mendimtar.

Nga Remzi Basha kuptojmë se arti i vërtetë është ëndërr dhe shpresë për një jetë më të mirë. Krijuesit e vërtetë lexojnë shumë, me sinqeritet dhe me seriozitet. Arti është pronë e autorit dhe realitetit, e vetmja pasuri e një populli që nuk mund të degdiset. Ligji i parë i artit është “të mos bëhesh viktimë e plagiatit”. Suksesi krijohet me punë dhe sakrifica. Investimi më i madh vjen nga shpirti. Ekziston nevoja për mendime të shëndetshme ku shndrit guximi dhe forca e mendimit. Në artin e përjetimit të jetës triumfojnë guximtarët e jo përtacët apo sharlatanët. Për t’u bërë i pavdekshëm në këtë rrugë magjike të shpirtit, duhet të joshish lexuesin me fjalë të theshta, me ndjenja dhe metafora të qëlluara, me plot substancë dhe sugjestione. Si e përshkruan Mehmet Kajtazi bukurinë e femrës që të bën poet? “Ajo ishte një femër që ua kishte rrëmbyer luleve erën e mirë, yjeve dashurinë, maleve bulbërinë, zogjve dhe lumenjve këngën, diellit zjarrin. Dielli e kishte ruajtur zjarrin për gjoksin e saj.”

Një zjarr i bekuar që digjet për Shqipërinë e Bashkuar

Duke shfletuar librin më të ri të Remzi Bashës, ballafaqohemi me mendimin për t’ia ripërkujtuar lexuesit se me lot e gjak është larë Kosova. Mendimi i lirë, sipas një poeti kosovar, as nuk blihet e as nuk shitet. Vlen të ripërkujtojmë faktin se mendimi i lirë është vullneti dhe dashuria, që burojnë nga shpirti e rrjedhin nga zemra. Autori i kësaj vepre është një zjarr i bekuar që digjet për Shqipërinë e Bashkuar. Nuk është as Pjetër Budi, as Pjetër Bogdani dhe as Shën Pjetri, por Remzi Basha ta përkujton Pjetrin e Shenjtë që e mbante një shkop në dorë, duke lëvizur herë në Shqipëri, e herë në Kosovë. Poeti çmon veprimin energjik të bashkatdhetarëve tanë që digjen për Atdheun dhe familjen. Duke lëçitur vargjet e Remziut, kuptojmë se ende nuk janë shuar shembujt e shenjtë të rilindësve tanë.

Ky njeri nuk është i vetmi rast që ta përkujton vrrullin e pashoq të Nikolla Naços, ikona e shpirtit tonë që militonte vazhdimisht për mbarëvajtjen e shqiptarizmit në mërgim. Sipas mendimit tonë, kjo vepër reflekton artistikisht ndjeshmërinë erotike dhe patriotike të poetit Remzi Basha. Koha është një dhuratë e atillë që kërkon rifreskimin e memorjes sonë për ta njohur të shkuarën tonë, që nga Preveza e deri në Nish, duke i dhënë prioritet Toplicës së përgjakur të zemrave tona, pa e harruar Çamërinë, Luginën e Preshevës, Malësinë e Madhe dhe Kosovën Jugore që përkufizohet me Manastirin shqiptar të Shën Naumit dhe ujërat e Prespës.

Remzi Basha ulind në Sllapuzhan të Therandës dhe ka emigruar në Malmo të Suedisë, ku jeton dhe vepron, gjithmonë në shërbim të artit poetik dhe atdheut magjik.As që ka nevojë të flasim më shumë për këtë njeri të mrekullueshëm, sepse flet vepra e tij, flet vullneti dhe flasin ndjenjat dhe shpirti i tij, shpirti i të cilit flet shqip dhe digjet për vendlindjen e tij, për familjarët e tij, për farefisin e tij dhe për Kosovën e tij. Ai është njëri nga poetët e rrallë të diasporës shqiptare që i justifikon shkrimet e tij me një sensibilitet të sinqertë, duke e stolisur vargun me figura stilistike, siç e kërkon poezia e mirëfilltë.

Përveç vlerave të veçanta letrare, Remzi Basha ka merita të jashtëzakonshme atdhetare. Në vargjet e tij zotërojnë subjekte erotike, morale dhe patriotike. Poezia është një ligj i shenjtë i metafizikës për të mbetur i pavdekshëm. Autori është i vetëdijshëm se poezia moderne ka nevojë për hapje horizontesh të mëdha, për ngjitje në qiejt e frymëzimit dhe zbritje deri në zemër të dheut, për shndërrimin e fjalëve në një thesar të artë ku zotërojnë ide të reja, të mbrujtura me përfytyrime, metafora, novitete, risi dhe porosi.

Misioni i vargut të Remzi Bashës, herë pas here reflekton horizontet e vendlindjes me rrënje të thella dhe degë të vrullshme. Motivet e frymëzimit të tij notojnë mes afirmimit të mirësisë sonë dhe fshikullimit të ligësisë së huaj. Poezia shëmbëllen me një vullkan për shpërthim ndjenjash e përjetimesh. Ajo i çliron fshehtësitë duke zbuluar muzgun ku dashuria shndërrohet në një forcë të gjallë, që zotëron mbi qytete e vende. Autori jeton në mërgim dhe e mban të pashkëputshëm ndërlidhjen me atdheun, duke na i ripërkujtuar dëshmorët e kombit dhe betejat e panumërta të bijve të shqipes për liri dhe pavarësi.

Autorin e kësaj vepre e gjejmë duke rendur deri në perandorinë e zogjve, atje ku liria është e garantuar. Nga shkëlqimet e shpirtit dhe të mendjes, të prejardhura nga një shqetësim që predisponon mendimin e gjerë, kuptojmë se frymëzimet vijnë dhe e bekojnë esencën humane. Remzi Basha është një shqiponjë e lirë që e zbulon vetëveten në përjetimet më të thella që mund të shoqërojnë polarizimin e kuptimeve dhe formave të qenësishme, por edhe të veçanta, të ekzistencës. Fjala është për ata që shpesherë e kanë vështirë për t’u vërejtur, josepse do të qendronin të fshehura, por sepse të duhet njëfrymë e veçantë për të arritur deri te ta. Me këtë rast mund të kuptojmë se ky është një nga kuptimet e arritjes sëabsolutes.

Mëimpresionon qëndrimi stilistik, intencioni i dyfishtë i diskursit poetik dhe çështja e stilit. Poeti ka një përjetim të përgjegjshëm, një mahnitje të paharrueshme, duke kaluar hap pas hapi, deri te pika kulminante e emocionit më të fuqishëm.Kështusoj e shoh poetin shqiptar, pa e njohur personalisht, veçse nga prizmi shumëdimensional i personalitetit të tij të refletuar në shtjellën e një poezie të veçantë, të bukur dhe mbresëlënëse. Nga një vëllim në tjetrin, vërejmë se Remziu ka një kërcim me vlerë dhe kjo është e shkëlqyeshme. Me shtatëdhjetë vëllimet e tij poetike, kuptojmë se autori është një zë lirik origjinal që mund të fitojë një vend të merituar në bibliotekën e ndjenjave erotike dhe atdhetare të letërsisë së sotme shqiptare. (Bukuresht, Pranverë 2022)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat