Bekim fehmiun nuk ka kush ta vlerësojë?

Kultura

Bekim fehmiun nuk ka kush ta vlerësojë?

Më: 1 qershor 2022 Në ora: 10:57
Bekim Fehmiu

Bekim Fehmiu është një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare. I pranuar botërisht, por jo i trajtuar ashtu siç meriton nga institucionet shqiptare, ai vazhdon të shkëlqejë në qiellin e botës së filmit. Dhe, a mund të tregojë dikush se cili institucion kulturor ynë, gjithandej hapësirave shqiptare, mban emrin e tij! A mund të tregojë dikush se cili festival shqiptar (i filmit) ndan ndonjë çmim që mban emrin e tij! Apo, kush mund të tregojë se ku gjendet një bust që identifikon figurën e tij! Bekim Fehmiu bëri shumë për shqiptarët, kuptohet nëse e vlerësojmë objektivisht, por çfarë bënë shqiptarët për këtë kolos të filmit!

Shtrimi i këtyre pyetjeve thjeshtë tregon se shqiptarët jo vetëm që kanë filluar ta harrojnë këtë individualitet të veçantë të kulturës shqiptare, por edhe ta mohojnë.

Një nga karakteristikat e shqiptarëve është pranimi i lehtë i vlerave të huaja. Mbase kjo është dëshmuar shumë herët. Pra, më e afërt na bëhet e huaja se sa ajo që është e jona dhe që mban vulën shqiptare.

Tirana zyrtare në këto vite të demokracisë shumë herë ka dekoruar të huaj, përfshi edhe ata për të cilët ka pasur shumë reagime (kujto Goran Bregoviqin), por akoma as që e ka menduar ndonjë ide që do ta madhëronte këtë aktor tonin, më të mirin të të gjitha kohëve, ndonëse ai vërtet e meriton një përmendore në mes të Tiranës.

Por, as Prishtina zyrtare pothuaj nuk ka bërë gjë për Bekimin e madh të ekranit të filmit. Është e çuditshme se si me lehtësi të madhe u ndahen çmime shtetërore anonimeve të ndryshëm (gojëkëqijtë prapa kulisave thonë se edhe në këtë drejtim bëhet biznes me vlera të majme), përfshi edhe hoxhallarë, të cilët as ata vetë (edhe hoxhallarët) nuk e kanë të qartë se pse kaq lehtë jepen çmime institucionale.

Çmimet përgatiten dhe ndahen sikur të jenë qebapë, por askujt nuk i kujtohet se nëse dikush vërtet i meriton çmimet shtetërore, atëherë para se gjithash është Bekim Fehmiu, të cilin fatkeqësisht nuk ka kush ta vlerësojë, pavarësisht se gjërat janë shumë të thjeshta.

Borxhin tonë moral ndaj Bekim Fehmiut nuk e shlyen asnjë lum...

Natyrisht këtë e dinë edhe ata që janë zhytur në hipokrizi, që e ushqejnë mafinë kulturore, kulturën provinciale, qendrat e mohimit të shtyllave të identitetit, kulturën e politizuar deri në palcë.

Janë po ata që nuk duan të gjejnë një hapësirë në mes të Tiranës, Prishtinës apo Shkupit për ta ngritur një bust serioz për Bekim Fehmiun, janë po ata që kanë harruar t’i ndajnë ndonjë çmim shtetëror këtij personaliteti që kurrë nuk e mohoi vetveten dhe identitetin e tij.

Por, ja që fatkeqësia qëndron pikërisht te harresa shqiptare që është shndërruar në kod veprimi në të gjitha lëmenjtë, përfshi edhe kulturën e rënduar nga pesha e hipokrizisë.../ HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat