Fatime Kalimashi dhe lirika mediatike e mërgatës shqiptare

Kultura

Fatime Kalimashi dhe lirika mediatike e mërgatës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 1 shtator 2022 Në ora: 21:38
Kopertina

Poezia është testamenti i jetës, bota e ndjeshmërisë dhe mjalta e fjalëve. Poezia e Zonjës Fatmie Kalimashi është pjesë përbërëse e qenies së saj. Poetja krijon një dialog peramanent dhe të mrekullueshëm me vetëveten, me botën, me njerëzit. Me prezencën e poezisë në shpirtin e saj, ajo kurë nuk ndjehet e vetmuar. Lirika meditative e Fatimes është e gërshetuar me subjekte kushtar atdheut, jetës dhe dashurisë..

Poezia është lëngu i jetës, ndërsa bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poezia është dimensioni më i pastër që e posedon qenja njerëzore. Vëllimi respektiv është një kontribut i veçantë që reflekton meditimet e njërës nga poeteshat më të talentuara të mërgatës shqiptare. Fatime Kalimashi tashmë e ka krijuar profilin e saj të veçantë letrar. Njeriu ka nevojë permanente për poezi, siç qielli ka nevojë për yje, siç pyjet kanë nevojë për pemë, siç bimët kanë nevojë për ujë, siç livadhi ka nevojë për lule, siç trupi ka nevojë për ushqim, siç mushkëritë kanë nevojë për ajër dhe siç syri ka nevojë për dritë.

Poezia është një art i pakufishëm. Fjalët e Fatimes nuk kanë kufij. Ato shërojnë plagët e shpirtit dhe hapin sytë e të verbërve. Fjalët e vërteta e ledhatojnë dhimbjen dhe errësirën brenda nesh. Buka është fjalë, drita është fjalë, urrejtja dhe errësira janë fjalë. Fjalë që shërohen dhe fjalë që vrasin, fjalë që ndriçojnë dhe fjalë që errësohen. Nevoja për të folur është një nga nevojat më të nxehta dhe më të domosdoshme të njeriut, së bashku me nevojën për ushqim, për veshje, për dashuri, për vërtetësi dhe për drejtësi. Për një poet, nevoja për të thënë fjalë është si nevoja për të marrë frymë. Autorja vjen para nesh me mendime, me ndjenja dhe ide. Ajo i përdor me kujdes fjalët që e ndihmojnë të shprehet, gjithmonë duke pasur diçka për të thënë.

Fjalët kanë fuqinë t’i japin jetë një universi të pafund. Ato mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund të ideve dhe ndjenjave. Pra, imagjinoni se keni në dorë një violinë që e keni marrë si dhuratë nga prindërit tuaj, domethënë një shpirt të ndjeshëm dhe delikat. Përmes saj, ju keni aftësinë për të transmetuar dridhjet e dashurisë deri në fund të botës. Por kjo varet nga mënyra se si e përvetëson artin e transferimit në realitetin e ndjeshëm të aspiratave fisnike të shpirtit. Mendimet e Fatimes janë flutura të metamorfizuara në mendime. Ato dëshmojnë se meditimet e poetes e përshkruajnë një profil lirik origjinal: Fjala është ilaç i shpirtit kush di ta përdor/ Është fashë e plagës kur gjaku pikon / Dhimbjen e zemrës largon si me dorë/ Është ilaç i dhimbjes që çdo plagë shëron/ Fjala e mirë ndërton jetën dhe dashurinë/ Ndërton paqen miqësinë e lumturinë/ Me fjalë të bukura ndërtoni ardhmërinë/ Flisni me shpirt fjalë me vlera për njerëzinë. (Flisni me shpirt).

Nga fryti i ëndrrave të saj, ne ndiejmë tingujt e psherëtimave tona, të dëgjuara nga lexuesi, përjetësisht. Poezia e autores është e ngarkuar me një imazh specifik, i cili shpreh jo vetëm shoqata, por edhe tema shpesh befasuese. Zbulimet filozofike janë gjithmonë të veshura me marrëdhëniet e thjeshta të jetës së përditshme. Fatime Kalimashi ka guximin të flasë të vërteta, të rikrijojë jetën nga fragmentet e ëndrrave dhe mistereve. Ajo nuk është poete e ashpërsisë rebele të gjendjeve të ndërgjegjes, të dinamikës së rrëfimit, duke tërhequr vëmendjen e lexuesit, të cilin e fton në meditim dhe në rikrijim të shpirtit. Dendësia e ideve, fuqia e kontabilitetit verbal që zbulon një jetë të përditshme të butë ose të trazuar mund të jetë e parëndësishme në thelbin e saj, provojnë një poezi të thellë, të ujitur nga kaq shumë beteja shpirtërore, një shenjë e hijeshisë së gjendjeve lirike autentike. Fatime Kalimashi është arkitekt i që riorganizon poetikisht botën, sipas shpirtit të saj, kaq delikat, i thellë dhe misterioz. Autorja rigjen një rrugë për të dhënë një përkufizim të shkretëtirës që përgjon nëse nuk gjejmë forcën për të njohur përjetësinë e poezisë. Pronarja e këtyre vargjeve nuk është një poeteshë e shqetësuar, por një vetëdije e frymëzuar. Bukuria hyjnore në poezi zgjon shqisat e fjetura. Vargu i Fatimes na i mbush shpirtrat me ndjenja të bukura.

Botimi i një vëllimi të ri me vargje të reja, përfaqëson një festë të shpirtit për lexuesit e poezisë. Lekturimi i një vëllimi të këtillë shndërrohet në një përjetim të thellë estetik që manifeston sentimentin e lindur në mënyrë të natyrshme, një ndjenjë e bekuar që bashkon trokitjet e zemrave të gërshetuara me fërgëllimën e zjarrit romantik, autori dhe lektori duke realizuar një binom komplementar, i pari duke ofruar, ndërsa i dyti duke receptuar intenzitetin e ndjenjave, thellësinë e përjetimeve, kuptimin e temave dhe sfondin ideatik që fshihen në zemrën e çdo poezie.

Nga vargjet e Fatimes kuptojmë se ekzistojnë disa botë: bota e ndjenjës atdhetare, bota familjare dhe bota e sentimentit erotik. Lirikës së saj i mungon banaliteti dhe pornografia. Ajo është një lirikë reale që buron nga zemra. Vargjet e poetes janë materializuar sipas dëshirave të lexuesve, sepse në to reflektohet bota realiste e përshkrimit poetik. Në vargjet e saj shkëlqen drita e dashurisë, magjia e saj dhe bota e e kuptimit realist: Të kërkoja mes yjesh/ Ku hëna bënte dritë/ Ti ishe në zemrën time/ Shkëlqim në sytë e mi/ Të kerkoja në kaltërsi/ Në mes rrezeve të diellit/ Ti ishte në zemrën time/ Shikim për sytë e mi/ Nuk lash vend pa të kërkuar/ Në çdo varg çdo poezi/ Ti i fshehur në zemrën time/ Mbetur thellë në brendësi. (Të kërkova)

Motra është si nënë e dytë. Kur s’je mirë të kupton nga sytë. Më zemrën e saj janë të gdhendura tre fjalë: Dashuri, Dhimbshmëri dhe Fat. Dhe kur lotët, gëzimi dhe trishtimi i ka në sy, ajo të thotë prap: Vdeksha unë për ty! Nuk ka si motra. Ajo të do me gjithë zemër ngase jeni i të njëjtës nënë dhe i të njëjtit gjak. Kur ishim të vegjël, në të njëjtin djep nana na ka përkundë. Motra është si shqiponja që të mbron. Në zemrën e saj mbretërojnë fëmijët e saj dhe vëllau i saj. Të kesh motër ka shumë rëndësi, sepse ajo është pasuria më e madhe për ty dhe për fëmijët e saj. Është e dashur, e ëmbël, fisnike dhe besnike, e sinqertë dhe fantastike.

Motra është gëzimi im dhe perla e shpirtit tim. Dashurinë për motrën dhe për nënën, Fatimja e ka gdhendur në zemër: Në sytë e saj ngjyrë qielli/ Lexova dhimbjen e shpirtit/ Plagët e zemrës së pa shëruar/ Me lotët e saj të kristalizuar/ Në sytë e saj ngjyrë deti / E ndjeva dhimbjen në thellësi/ Si dallgët e detit të trazuar/ Lotët shoqëruar me krenari/ Me qerpikun e syve prej kaltërsisë/ Me buzët petale lule trandafil/ Me dashurinë e saj prej nëne/ Jetës i buzëqesh për hir të fëmijëve. (Në sytë e një nëne)

Libri i saj më i ri u lind nga një impuls fisnik, duke qenë i menduar si një befasi e re letrare dhe sentimentale. Veprat e këtilla e pasurojnë botën tënë letrare dhe e fisnikërojnë qytetërimin e një kombi, duke qenë realizime të mëdha etike dhe estetike, sinteza të një koncepti për jetën, dëshmi të mendimit dhe ndjeshmërisë së një populli në kontekstin e historisë aktuale të sentimentalizmit shqiptar. Ky është misioni i krijimtarisë letrare në rradhë të parë, dhe të botës së bekuar të arteve në përgjithësi.

Fatime Kalimashi është ndërgjegja estetike që aspiron drejt objektivitetit. Ajo është një poeteshë e lindur që nuk e kopjon realitetin, sepse realiteti për të është jo vetëm një pretekst për të krijuar një botë të re, por edhe për krijimin e ligjeve të reja të ndjeshmërisë dhe harmonisë. Krijimi është një magji që të shpie në tryezën e shkrimit, që të nxit t’i ripërjetosh ngjarjet me një intenzitet të ri subjektiv, të cilat të duken më reale se sa vetë realiteti objektiv. Vepra e autores që vjen nga zemra e mërgatës shqiptare (Zvicra), përbën realitetin e një jete personale, me vargjet e një misterioziteti që gërshetohet me magjinë e bekuar të dashurisë. (Bukuresht, Gusht 2022)

BUZË MBI BUZË

Mbi fijen e flokut të mëndafshtë

Rrezet i shpërndan në kaltërsi

Mbi lëkurën e trupit tënd të njomë

Buzët kërkuan aromë dashurie

Aroma jote trëndafil i kuq

Se ç’më dehu sot por sikur rakia

Sa herë i kërkoj ato buzët tua

Ti kërkon më shumë buzët e mia

Dhe flokët e mëndafshtë shikimin ç’ma zunë

Si rrezet e diellit fytyrës m‘u shpërndanë

Duke u puthur ëmbël të dytë buzë mbi buzë

Bashkë i mbyllëm sytë pa thënë asnjë fjalë

SONTE...

Sonte

Dua ta mbyll vargun me të vetmën fjalë

Për njëri-tjetrin sa shumë kemi mallë

Kemi shumë mallë se shihemi rrallë

Sonte

Do e mbyll vargun me dy fjali

Një për sytë e tu një për sytë e mi

Njëra mallëngjim e tjetra dashuri

Sonte

Po e mbyll vargun me pak fjalë

Ne po plakemi dalëngadalë

Jetuam jetën si në përrallë

Sonte

Unë po e mbyll vargun në poezi

Ti mbylli buzët mbi sytë e mi

Mallin ta shuajmë me dashuri

Sonte

Jemi vetëm unë dhe ti

Mbylli sytë hesht në qetësi

Lexo ç’të thash në poezi

NATËN KUR TË VIJ

Më prit një natë, do të vij në ëndërr

Do të ta prish gjumin dalngadalë

Me pëshpëritje të lehta mesnate

Përmes ëndrrës si në përrallë

Ajo natë mos të mbarojë kurrë

Le të mbetet e paharruar

Nga një princeshë idealesh

Në kujtim gjysëm të zgjuar

SHPIRTI I LIRË

Prej vitesh dëshiroja të flisja

Të flisja në sytë e botës

Dëshirën qe kisha prej kohësh

Ma vranë ma humbën pa gjurmë

Ëndrrën e kisha shpresë drite

Rrugën time të jetës për ta ndriçuar

Sikur edhe nata të shndërrohej në ditë

Asnjëherë për mua s’do të kishte mjaftuar

Zemrën e kisha të mbyllur me dry

Aty ku ruaja sekretet prej vitesh

Të mbyllura të ndrydhura me gjithë fuqinë

Dhëmbët e thyer nga fjalët e gëlltitura

Shpirtin e lash të lirë të fluturojë

Të jetojë në paqe dhe dashuri

Ia dhash të drejtën engjëjt t’i takojë

Me mirësi një ditë të kthehet përsëri

EJA

Eja të pres në shtratin e zemrës

Me fustan prej mëndafshi

Prej ngjyrave të dashurisë

Qëndisur me puthje prej zjarrmisë

Eja m'i shuaj ethet me dashuri

Me përqafimet tua prej shpirti

Ma largo dhimbjen e mallit

Nga zemra me zhvesh fustanin

Eja të tretemi diku larg

Ku s'na sheh njeri

Të puthemi e të duhemi

Si të çmendur në dashuri

PSE TA FSHEHIM DASHURINË

Pse ta fshehim dashurinë kur dashurojmë

Pse të vërtetën duhet ta mohojmë

Kur të gjithë kemi lind nga dashuria

Dhe nga dashuria u shtua njerëzia

E pse duhet fshehur dashurinë

Kur të gjitha me dashuri fillojnë

Se kur gjërat bëhen pa dashuri

Ato pa sukses edhe mbarojnë

Eh! Dashuria fjalë e rëndë

Nuk është turp të dashurojmë

Nëse pa ndjenja gjërat mbarojnë

E pse si trup i vdekur duhet të jetojmë

MË DUAJ

Më duaj kur koha të mungon

Me duaj edhe në ditë të vështira

Edhe kur s'ke kohë për dashuri

Më duaj m'i përqafo ëndrrat e mia

Më duaj edhe kur të soset durimi

Kur të jesh i lodhur e i rraskapitur

Edhe atëherë kur të jesh i trishtuar

Edhe në netët kur të jesh i mërzitur

Më duaj që të të dua edhe më shumë

Të duhemi edhe në ëndrra nëpër gjum

Ta vlerësojmë kohën në dashuri

Se veç dashuria e shpirtit është përjetësi

DUAJENI JETËN

Çdo ditë është një hapërim

Çdo ditë është një lumturi

Çdo ditë është vetëm një fillim

Kur mbaron me dashuri

Çdo ditë është një mësim

Çdo ditë është një pasuri

Sa herë mbjellim dashuri

Korrim e vjelim veç lumturi

Jetoje çdo ditë të Perëndisë

Kape çdo çast të lumturisë

Përqafoje jetën shtrëngoje fort

Jetoje çdo ëndërr në këtë botë

Jetoje jetën sikur nga fillimi

Të mirave të saj mos t'u shihet mbarimi

Dhimbjen e trishtimin hudhi në harresë

Duajeni jetën jetoni me shpresë

TË PRES NË PËRQAFIM

Po du me të pas në përqafim

Me të shtrëngu fort në gjoksin tim

Me marr frymë thellë me shpirt

Me të ndje fort kur t'i mylli sytë

Po du me të pas afër një herë

Dimrin me ma kthy në pranverë

Me shkri borën me puthje si zjarri

Siç e shkrinë dielli borën dhe akullin

Po du me të pas afër në krahët e mi

Me t'i puth fort sytë e tu të shkruar

Kur digjem e si prushi bëhem hi

Hirin tim ta mbash në ato duar

Sa herë të më kesh në grushtin tënd

Sa herë të ndezësh ndonjë qiri

Do të bëhem dritë për të ndriçuar

Shpirtin tënd në tonën dashuri

TË KËRKOVA

Të kërkoja mes yjesh

Ku hëna bënte dritë

Ti ishe në zemrën time

Shkëlqim në sytë e mi

Të kerkoja në kaltërsi

Në mes rrezeve të diellit

Ti ishte në zemrën time

Shikim për sytë e mi

Nuk lash vend pa të kërkuar

Në çdo varg çdo poezi

Ti i fshehur në zemrën time

Mbetur thellë në brendësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat