Sfidat shekullore brenda një romani

Kultura

Sfidat shekullore brenda një romani

Nga: Artan Arsllani Më: 22 nëntor 2022 Në ora: 13:53
Kopertina e librit

Nga

Me daljen në dritë të romanit "Çaushi", të titulluar me emrin e protagonistit kryesor, të parin që e boton Merxhan Jakupi, një publicist i njohur nga Tetova, mbase do të pasurohet fondi i librave të publikuara kohëve të fundit në gjuhën shqipe. Aktualisht pak po kemi autorë shqiptarë që shkruajnë romane. Ky roman mund të jetë nxitës për autorët e rinj të talentuar, që t'i përvishen kësaj pune, sado të rëndë, po aq edhe me vlerë.

Botimi i këtij romani, që ka premisa historike, për nga trajtimi i temës qendrore, ngase përfshin një të kaluar të sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, jetën e njerëzve, sfidat e tyre shekullore. Hidhet një dritë letrare-artistike që në një mënyrë të drejtpërdrejtë do të zbardhë disa fakte historike për ngjarjet autentike, që kanë ndodhur në trojet shqiptare.

Nëpërmjet fjalës dhe mënyrës së shprehjes, përdorimit me vend të figurave stilistike dhe të gojëdhënave që janë trashëguar brez pas brezi, përpunimit të dokeve e zakoneve, të folklorit burimor, autokton, të gjitha gërshetohen brenda përmbajtjes dhe rrëfimeve dhe ngjallin kërshërinë e lexuesit.

Autori Merxhan Jakupi, në këtë roman ka përdorë një gjuhë të qartë rrëfimtare, mjaft joshëse, me një stil të veçantë të shprehjes artistike, që mund të rafinojë dijen e publikut lexues. Aty shtrohet një rrugë e dhembshme jetësore dhe mjaft sfiduese të një personi, rreth të cilit mbështillet e gjithë ngjarja dhe historiku i ndodhive; të një të riu që do ta braktisë vendlindjen për të luftuar në troje të huaja, ku do ta kalojë pjesën më të bukur të jetës, të moshës rinore, për t'u kthyer përfundimisht në vendlindje, pas shembjes së një perandorie të madhe.

Çaushi, si protagonist kryesor i romanit, nëpërmjet të cilit thuret ngjarja dhe narrativi, si një malësor përplot me ëndrra rinore, do të ketë një ecejake gjembash jetësore, kur qatipët e rekrutojnë për Ushtrinë Perandorake. Ai dëshmohet në fronte dhe istikame, si luftëtar trim, shqiptar, të cilin pas shtatë vjetësh shërbim, me uniformë të huaj, do ta ndalojnë të mos kthehet në vendlindje, duke e avancuar në hierarkinë e xhandarmerisë, ku do të mbetet edhe 13 vjet të tjera.

Në vitet dramatike për atë perandori, e cila përfundimisht përmbyset, malësori i syrgjynosur nga një katund i Ballkanit, do të vendosë të kthehet në vendlindje, ku nuk kishte shkelë njëzet vjet. Aty do ta përjetojë dramën jetësore, kur disa breza të rinjsh e konsideronin këtë njeri të tyre, si të huaj. Atëherë gjithë kulla e ëndrrave që e kishte ndërtuar në tokë të huaj, i rrënohet mbi kokë. Por, autori gjen një zgjidhje mjeshtërore për epilogun, kur Çaushi para vdekjes, në oborr të shtëpisë do të zbulojë një sekret, të cilin lexuesi mund ta gjejë në fund të romanit.

Libri që ka 350 faqe dhe u shtyp nga “Focus-Print” në Shkup, u financua nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat