Dielli për krejt shqiptarët lind në Shipkovicë

Kultura

Dielli për krejt shqiptarët lind në Shipkovicë

Nga: Baki Ymeri Më: 11 dhjetor 2022 Në ora: 20:10
Kopertina

Dr. Zef Abdia, është drejtor i revistës “Shqiptari” dhe shqiptari i parë që hulumton deri në shkallë të dizertacionit, problematikën e tumorit të mushkërive. Takimet me të janë të shkurtëra dhe impresive. Porsi gjermanët, përherë e gjen duke studjuar, duke punuar, dhe duke u zbavitur. Qetësinë dhe kënaqësinë shpirtërore, i ka dhunti të Zotit. Modestia e tij është e një niveli të lartë. Edhepse ende s’ i kishte mbushur tridhjetë pranvera, ai dinte të japë kontribute konkrete për mbarëvajtjen e shqiptarizmit në diasporë, duke ekspedituar nam ilaçesh për sivëllezërit e vet në Kosovë e Maqedoni, duke marrë pjesë nëpër debate internacionale për mbrojtjen e çështjes shqiptare, për demaskimin e propagandave serbe të metropolës, duke njohur  shkrimtarë e atdhetarë të kalibrit të parë, duke përkrahur intelektualët tanë, duke admiruar hershmërinë tonë katolike, duke lexuar Naim Frashërin, duke e admiruar Kadarenë. Ëndërron që në çdo fshat të hapim biblioteka, të riaktivizojmë shoqëritë kulturo-artistike, të ngrisim pallate kulture, dhe pse jo, simbolikisht të ngrejmë edhe nga një kishë katolike, siç i kishin të parët tanë, para laramanizmit të tyre. Pse? Ngase vetëm përmes kultivimit të shpirtit shqiptar, dhe të ndjenjave të shenjta të atdhedashurisë, mund ti mposhtim ndikimet dëmprurëse, të sundimeve të huaja.

Mjek, intelektual, shkencëtar dhe atdhetar

Dr. Sefer Abdija, ky malësor i zemrës fisnike të Sharrit në zemrën mikpritëse të botës gjermane, është një krijues i prekur nga flatrat e engjëllit. “Sikur të ishin krejt shqiptarët të këtillë: të mençur, të ndershëm e të zellshëm, Shqipëria kaherë do të ishte e rrumbullaktë, me katër vilajete, me një industri e ekologji të atillë, që do të  ia kishte lakmi edhe Perëndimi”. Ishin këto disa nga komplimentet me të cilat e dekoronte gjyshi i tij, xhaxhi Xhavit, shqiptari që pat rrahur qindra kilometra në relacionin Shipkovicë-Konstancë-Beograd-Tetovë, për të siguruar kafshatën e familjes. Shtëpia e tij e motshme, gjendej në kërthizë të Shipkovicës, pranë kullës së Fran Kolës, një nga banorët e motshëm të këtij katundi, që e lexonte Psalterin e Konstantin Kristoforidhit shqip, në një faltore të lashtë, e ngritur tejmatanë shtëpisë së Fehmi Kamberit, buzë Përroit të Kishës. Dinte t’i hapë dyert e disponimit me buzëqeshje e humor. Kishte punuar së pari në Konstancë, në kohën kur këtu delte Shqipëria e Re (1919-1935). Me shpërthimin e luftës së dytë botërore, Xhavit Mnjaku e braktis kurbetin, dhe vjen aty ku pat lindur: në një shtëpi të vjetër, e ngritur me gurë të gdhendur, dhe e mbuluar me rrasa të rënda. Martohet me një zonjë nga lagja Voke, dhe krijon familje, me djem e me vajza të zellshme.

Për të siguruar ekzistencën e tyre, së pari punon në limanin e Danubit, pastaj kthehet në Tetovë, dhe inkuadrohet në mullirin e qytetit, në Çarshi të Epër. Përshkonte përçdo ditë, nga 11 km. rrugë malore në këmbë, që nga Përroi i Kishës së Shipkovicës, e deri tejmatanë Kishës Shqiptare të Shën Mërisë, të cilën para 90 vitesh, me vërshimin e okupatorit serb në trojet shqiptare (1913), nga Shumbria (Shën Mëria), pushtuesit e pagëzuan “Sveta Bogorodica”. Kujt nuk i besohet ky argument konfesional, le ta pyesë shqiptarin më të përzemërt të fshatrave shqiptare të Rekës, zotin Todor Prifti, kopronar i shitores “Gëzimi i fëmijëve”, në Tetovë. Tjetër punë është se do semi-shqiptarë që gëlltisin buxhete evropiane, ende nuk u është kujtuar një film dokumentar ta bëjnë, me Todor Priftin që e njeh hershmërinë tonë, më mirë se një historian shqiptar. Sa herë që e shihnim xhaxhin Xhavit në Shipkovicë, na fliste për Zafetin dhe Kadirin, për Albaninë e Konstancës dhe bukuroshet e Bukureshtit, për respekti ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj atdheut. Gjyshi flet për hershmërinë tonë, babai për hajnat që na turpërojnë nëpër botë, ndërsa nipi për Unionin e Studentëve Shqiptarë në Gjermani.

Në kuadrin e do artikujve të botuar në Shkup e Bukuresht, bëhet fjalë për mjekun, intelektualin dhe atdhetarin Zef-Sefer Abdia, pamja e të cilit të lë përshtypjen, se dielli për krejt shqiptarët, lind në Shipkovicë. Porsi te hebrenjtë, patriotizmi i tij është kulti ndaj Punës, Familjes, Farefisit, Kombit dhe Atdheut. Ata që s’i dinë këto pesë vlera të shenjta, në vend të mençurisë, Zoti ua ka dhënë mashtrimin. Për fat të keq, shqiptarë të këtillë, fanatikisht të mashtruar, kemi sa të duash, që nga Reçica e pesë xhamive dhe e asnjë pallati të kulturës, e deri te ata  që i mashtronin sivëllezërit tanë në diasporë, për të mbledhur qindramijëra marka për faltore, në kohën kur kuçedra militariste serbe bënte kërdi kundër shqiptarëve të Kosovës. Më kaplon vaji kur më kujtohet rasti i Siniçanit, na thot prof. Zulbehar Hamzai, që pat studjuar Albanologjinë së bashku me zotin Isak Ahmeti nga Stublla, dhe pasi shpreh keqardhje për zhdukjen e freskave të një kishe katolike në një fshat të Tetovës, shton se i madh është numri i intelektualëve tanë, që mënjanë mbajnë emra pushtuesish, ndërsa në anën tjetër mburren me stoicizmin e të parëve tanë, me ata që e ruajtën me shenjtëri fenë e Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës.

Edhe Dr. Seferin e kemi të këtillë, së bashku me bashkëshorten e tij, zonjën Xhemile, mjeke, amvise dhe nënë. Vjehra e saj, që jeton, herë në Berlin e herë në Shipkovicë, vjen nga një familje me tradita të lashta të shqiptarizmit. Krejt pleqtë e katundit e dinë faktin se fandallarët, gjurajt, çadelet dhe vokallarët e Shipkovicës, kanë prejardhje të lashtë katolike. Nuk e dimë në e din Seferi këtë fakt, por e dimë se zotëria e tij, pa patur alergji ndaj feve të tjera, militon për rikthimin e adimirimit, ndaj një feje me të cilën mburret krejt bota, ndaj atyre që e shenjtëruan Nënë Terezën, mu në zemër të Vatikanit. Seferi është ndër shqiptarët e parë që doktoron mjeksinë, në Universitetin e Humboldit në Berlin. Emri i tij ka depërtuar në rrjetin elektronik të Internetit. Kanë shkruar Fakti e Flaka, Vlera e Shqiptari, madje edhe revistat gjermane, për gjenialitetin e këtij mjeku të ri, në fushë të zbulimeve shkencore. Shqiptarët e mirëfilltë, sipas tij, punojnë, dashurojnë, i besojnë Zotit dhe përkujdesen për zgjerimin e njohurive, për flakjen e paragjykimeve, për respektimin e vlerave kulturore e kombëtare. Janë pikërisht ata që e respektojnë maksimën e Rexhep Vokës: "E lusim Zotin e vërtetë, që Shqiptar pa fe të mos ketë!", apo atë të Pashko Vasës: "Çonju shqyptarë, prej gjumit çonju/ Të gjithë si vllazën n’një besë shtrëngonju/ E mos shikoni kisha e xhamia/ Feja e shqyptarit asht Shqyptaria".

 “Fakti” konstaton faktin se është shipkovicasi që doktoron në klinikat e Berlinit. “Sefer Abdija, atëbotë kur kishte ardhur në Gjermani, kishte pasë një synim të qartë para vetes, synim që lidhej edhe me amanetin e të atit – të thellonte studimet e tij në mjekësi dhe pikërisht në fushën e shërimit të tumorit bronkial. Sot ai gjendet para përfundimit të disertacionit në spitalin Neuropina të Berlinit, dhe çdo ditë e kemi gjithnjë e më  afër përmbushjes premtimit të dhënë babait, për t’u aftësuar që të ndihmojë njerëzit e goditur nga kjo sëmundje e rëndë”. Është ky medalioni publicistik me të cilin e dekoron zoti Zejnulla Jakupi, e të cilit preferojmë t’i themi pa e hidhëruar: Zen Jaka, siç preferojnë edhe andej nga Tirana, Mustafës t’i thonë Tafa, Sadikut Dika, Alixhemalit Mala. Doktor Sefer Abdiun e preokupojnë rrënjët e lashta të shqiptarizmit, që ndërlidhen me botën katolike, një subjekt ky, që sipas tij, zgjon admirim te pjesa dërmuese e të rinjve tanë. Ka lexuar në një gazetë shqiptare, se përgjatë një sondayzhi që është bërë në Shqipëri, 82% të të rinjve shqiptarë, kanë deklaruar se admirojnë fenë katolike.

Autor kontributesh konkrete, për mbarëvajtjen e shqiptarizmit në diasporë

Në hulumtimet e tij shkencore, ai i është rekur një metode të re për diagnostifikimin e hershëm të tumorit të mushkërive. Kjo është një çështje që do ketë vlerën e vet në ardhmëri. Është fjala për studimin e disa proteineve specifike, që në gjuhën angleze quhen "heat schochk proteins", të cilat shkaktojnë paraqitjen e tumorëve të pashërueshëm. Megjithatë, përmes detektimit të gjakut periferik, ato mund të parandalohen, sidomos kur vjen fjala për ata që vuajnë nga mushkëritë e dëmtuara. "Shpresoj se përmes hulumtimeve të mëtejshme në këtë fushë, do të arrijmë rezultate për t’i shërruar, edhe shqiptarët e sëmurë", thot zoti Zef, i cili, pos hulumtimeve shkencore, merret edhe me krijimtari letrare. Lexon literaturë profesionale, shkencore e artistike, zhvillon një veprimtari modeste publicistike, pikturon, përkujdeset për familjen dhe jep prova të shumta të atdhetarizmit. Porsi dr. Luan Topçiun në Bukuresht, Xhevat Ukshinin në Gladbek, apo Don Lush Gjergjin në Kosovë, qetësinë dhe kënaqësinë shpirtërore, i ka dhunti prej Zotit.

Modestia e tij është e një niveli të lartë. I ka njohur dhe  shoqëruar Kadarenë, Podrimjen, Vincën, shkrimtarë e atdhetarë të kalibrit të parë, duke i përkrahur intelektualët tanë, duke lexuar Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Sadudin Gjurën etj. Rrënjët e tij vijnë nga një trung i shëndetshëm i Mnjakëve të Shipkovicës, siç është ai i xhaxhit Xhavit, Abdylmexhit, apo Vejsel Ramizi. Shkruan dhe boton poezi, qysh si nxënës i shkollës së mesme në Tetovë. Edhe e shoqja e tij, zonja Xhemile, specializon në fushë të gjinekologjisë, dhe jep shembuj konkretë, për emancipimin e fermrës shqiptare. Janë njohur në rini dhe kanë krijuar një jetë të lumtur bashkëshortore, duke e kultivuar sëbashku atë që është më fisnike e më sublime: respektin ndaj familjes dhe ndaj diturisë. Edhe njërin, edhe tjetrin, i preokupon fati i femrës së diskriminuar myslimane, dhe fati i mërgimtarëve shqiptarë në Evropë. Kur i njohëm për herë të parë, para dhjetë vitesh, i gjetëm duke lexuar do artikuj si “Albaner sind guter arbeiter”, “Skanderbeg und die Literatur”, Karol Vojtylën në gjuhën shqipe, Kadarenë në gjuhën gjermane. Ëndërron për gjermanizimin e ambientit shqiptar, për ekologjinë e fshatrave tona, siç ëndërronte dhe militonte dikurë, për konkretizimin e një ideje të tillë, edhe Ajvaz Voka në Shipkovicë.

Falë interesimeve të tij të parreshtura për shqiptarët, patëm fat ta njohim edhe një mik të madh të Shqipërisë: intelektualin italian me prejardhje gjermane, Giusepe De Siati, filoshqiptar dhe përkthyes i Kadaresë në gjuhën gjermane. Sëbashku me zotërinjtë Ejup Ajdini, Iljaz Osmani, Idriz Hamzai, Nehat Voka, nxënës, studentë, arsimtarë, intelektualë e fshatarë, jo vetëm të Shipkovicës, preferon me të madhe  flakjen e fanatizmit te shqiptarët e Sharrit e të Pollogut, ku është më i theksuar, sidomos kur vjen fjala për diskriminimin e femrës, për çlirimin e saj nga burgu shtëpiak, për emancipimin e meshkujve, për flakjen e xhelozisë, për fisnikërimin e ambientit shqiptar me fabrika e uzina, edhe nëpër fshatra. Jo më kot, i biri i një rilindasi na këshillon që në çdo fshat të hapim biblioteka e diskoteka, të riaktivizojmë shoqëritë kulturo-artistike, të ngrisim pallate kulture, ngase vetëm përmes kultivimit të shpirtit e të ndjenjave të shenjta të atdhedashurisë, mund ti mposhtim ndikimet dëmprurëse, të sundimeve të huaja. Duke e përfunduar këtë portret të përngutshëm për zotërinë e tij, shpresojmë se do të mahnitet, kur do të ballafaqohet me botën katolike shqiptare që e ëndërronte, e të cilën e kemi prezente, edhe në faqet e Internetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat