Valixhja e maktheve të njeriut të kreshpëruar

Kultura

Valixhja e maktheve të njeriut të kreshpëruar

Nga: Skënder Zogaj Më: 25 prill 2023 Në ora: 11:26
Monodrama "Torba

Zbehjes së ndieshme të jetës artistike teatrore në Kryeqytetin e Kosovës, këto ditë i dha gjallëri me dy shfaqje të shkëlqyeshme skenike, autori dhe regjisori i mirënjohur Naser Shatrolli, që artdashësit i jashi me dy kreacione teatrore: premierën "Dera" të realizuar në Teatrin "Dodona" të Prishtinës dhe, shfaqjen "Torba" të inskenuar në Teatrin "Mergimtari" të Kroacisë, e cila pas premierës në Zagreb erdhi edhe në Prishtinë, ku u mirëprit nga shikuesit që patën rastin ta shohin këtë realizim të veçantë artistik!

Shfaqja "Torba" me lojës skenike e zgjoi kërshërinë e publikut duke ua mbajtur vëmendjen të ngjizur me lojën dhe me domethënien e përmbajtjes së saj. Krahas publikut të rëndomtë, shfaqja e meritonte qasjen më të thelluar profesionale, që besoj se nuk do t'i mungojë! Monodrama "Torba", provokoi ndjeshëm publikun e pranishëm, që fatkeqësisht, ishte me numër të kufizuar, sepse informimi për shfaqjen u bë vonë dhe shfaqja u dha në ditë feste gjithëpopullore, gjë që mungesa e pjesëmarrjes realisht ishte e pritshme.

Prandaj, kompetentët e Teatrit "Dodona", duhet të jenë më të vemendshëm, rreth situatave të këtilla, që janë cënuese të interesimit dhe besimit të publikut, sidomos kur shfaqja "Torba", ishte një dedikim special për artdashësit e Kryeqytetit, sepse, kishte të bënte me një temë nga realiteti jetësor, shpirtëror dhe historik i Kosovës.

Realitetin kosovar Naser Shatrolli, e ka përthekuar mirë në tekstin letrar, ku mjeshtrisht trajtohen çështjet thelbësore të realitetit e që janë të denja për artin skenik, si në veprën konkrete, që pasqyron metaforën autentike të shpirtit tonë të kreshpëruar shoqëror. 2. Në një ambient impresiv skenografik, që pasqyron atmosferën fiktive dhe karakteristike për një ambient disidental, loja teatrore niset me dajlen në skenë të një udhtari, që me një valigje (torbë), endet dhe me kurreshëri hulumtuese kërkon diçka. Në ecje e sipër tregon "po e kërkoj budallain, një budalla po e kërkoj... !"

Më pas, pa fije ngurrimi e pranon dhe me vetëkënaqësi të madhe demonstron rolin e atij që e kërkon! Mënyra e sjelljes dhe rrëfimit të përjetimeve të trishta e të bujshme që i shpreh: duke treguar fatin e një të mbijetuari që ka kaluar kalvarin e ngjarjeve makabre me të cilat është përballur, me dashje ose i detyruar nga trysnia madhore e mbisunduesve të fuqishëm në kohë e rrethana të caktuara shoqërore, e kijojnë parandjenjën se, në fakt ky është duke e kërkuar vetveten!

Dhe e thotë me fjalë "unë jam ai" dhe me asion të zjarrtë e shfaq vetveten si përfaqësuesi tipik, që i ka pa, i ka përjetu, u ka shërby proceseve me tërë qenien e tij, prandaj është dëshmitari që ka dhënë gjithçka nga vetvetja dhe në fund, e ka marrë vetëm një torbë me kujtime dhe përbrenda saj një letër dëshmi se është një budalla!

Por në fakt ky është arkivi i kohës dhe i gjithë spektrit të jetës shoqërore, dëshmitar okular i dy kohëve të ndryshme dhe i ekstremit luftë ndëmjet tyre. Duke treguar për ngjarjet e trishta të së kaluarës, njeriu i torbës, bindshëm konstaton se, ndryshimi i madh i sistemeve që ka ndodhur, me rënien e komunizmit dhe instalimin e demokracisë, është arritur me shumë gjak e sakrifica, por ndryshimi i sistemeve, (as)pak nuk ka e ka ndryshuar cilësinë e jetës së njerëzve.

Dhe kështu ndodh për shkat të mentalitetit të trashëguar dogmatik nga e kaluara, që vazhdon edhe në demokraci, por i modifikuar formalisht me rrethanat e reja, por në esencë njësoj i egër dhe njësoj diskriminues. Për më tepër në logjikën e lirisë së shumëpritur, demokracia zhvillohet shumë lënduese, sepse, e drejta e proklamuar për fjalën e lirë është në shërbim të kaosit, ku të gjithë lirshëm ecin, flasin, bërtasin, dhe askush nuk ka përgjegjësi për ate që thotë dhe vepron, sepse askujt nuk i intereson asgjë, e më së paku ka vlerë e drejta dhe e vërteta! Kryepersonazhi si dëshmitar i gjallë i dy epokave, ka pa e përjetu gjithçka, por ka mbetur pa asgjë!

Në fakt ky është Diogjeni shqiptar, i cili në vend të llambës ka torbën (arkiv) dhe që bredh rrugëve të atdheut në kërkim të njeriut, bindshëm bashkë mendimtar i Sokratit që mendon se më mirë është të jetë njeri i vuajtur, se sa derr i kënaqur! 3. Veprën letrare "Toba" e karakterizon monologu i fjalëve dhe fjalive dëftore, zgjedhura dhe të sintetizuara mirë gjuhësisht, me porosi të çarta e të rrjedhshme ligjërimore, përkatëse me recidivin e lojës teatrore, tipike për natyrën e të bëmave dhe gjendjeve dramaturgjike moderne.

Fjala ka funksionin e ngjashëm me shkrepjen dritës së aparatit fotografik, që sublimon ndërlidhjen e ridimensionimit të aktit teatror me gjendjen shpirtërore të aktorit, që është komponenta kryesore artistike e cila në këtë shfaqje është e mirëfilltë dhe e plotëkuptimtë! Regjisura e shkrifton bukurr simbolikën emblematike e të dy anëve të valixhes: njëra ka yllin e kuq dhe ana tjetër ka tabelën e shahut me katrorët bardh e zi, siç është edhe rezonanca shpirtërore e kryepersonazhit, i cili defilon nëpër ambientin e shkëlqyer skenografik (të Agron Blakçorit); është i veshur me kostume të dizajnuara enkas për karakterin e tij (nga Flutura Dedinja) dhe, që shoqërohet nga ilustrimet efektive muzikore (të Drinor Zymberaj) që janë variabile me vokacionin e dramës së drumtarit. Është për t'u theksuar veçanërisht, skënografia e Argron Blakçorit që është komponent shumë i rëndësishëm estetik dhe funksional të shfaqjes, e njëkohësusht edhe për sharmin artistik të aktrimit të Leonard Hamitajt, që me zotësi i artikulon ca imtësira madhore, në kuptimin e aktit teatror, siç ishte përdorimi i çizmeve të shiritizuara, që bëhen personazhe bashkudhtare të kryepersonazhit.

Pa asnjë hezitim e përgëzojmë aktorin Leonard Hamitaj, për realizimin e suksesshëm të rolit, që duket i thjeshtë, por është shumë kompleks, me thyerje të shumta e të kolavitura për t'u interpretuar, sidomos në një monodramë, ku aktori fill i vetëm në skenë, duhet të sundoj skenën dhe pushtoj vëmendjen e publikut në sallë! Hiq ca lëkundje në fillim të lojës, Hamitaj në pjesën tjetër të shfaqjes e mori veten dhe me sukses të plotëkuptimtë e realizoi rolin e tij, që kulmoi me projekt-idenë që ua dedikoi një milion bashkëqytetarëve të tij, duke ua ofruar dy variante të jetës shoqërore: atë të ish-sistemit komunist me njejtat prerogativa të dikurshne, si arsimi, shëndetësia, kultura, informimi etj., deri te Teatri Krahinor dhe Radio Prishtina; dhe, varianti i dytë: sistemi demokratik i pasluftës në Kosovë, me të drejtën e lirisë së plotë të mbretërimit të kaosit, me të drejtën e shkatërrimit të çdo gjëje, pa kursyer as vlerat madhore shoqërore, shtetërore dhe kombëtare; ku, përbuzja mbrrin deri në ekstrem, aq sa invalidi i luftës s'arrin të gëzojë një protezë elementare, e aq më pak të operohet në spitalet bashkëkohore, ndërkohë që matrapazët shkojnë për të mbjellë flokët, për të zbukuruar hundet, veshët, faqet dhe buzët e pista... Fisnikëria prej krijuesi e detyron Naser Shatrollin të flas hapur dhe guximshëm.

Kësaj fryme filozofiko-artistike i kushtohet shfaqja "Torba" dhe para saj edhe shfaqja "Dera", që konsideroj se janë një rezultat solid i pjekurisë krijuese të Shatrollit si dramaturg dhe regjisor, që, seriozisht e sinqerisht po orvatet brenda Tempullit të Talias, në shërbim të artit teatror që, vazhdon të jetë vlerë e shenjtë, prandaj duhet ta gëzoj vëmendjen e merituar të institucioneve, sepse, teatri është vlera jetike, e barazvlershme me bukën e gohës së përditshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat